Të shpëtohen Krishtlindjet, të ndalet rritja e infektimeve dhe t’i ofrohet siguri operatorëve turistikë dhe të gjithë aktivistëve ekonomike.
Janë këto objektivat e paktës së re të masave anti-covid, të prezantuara nga kryeministri Mario Draghi pas dritës jeshile nga Këshilli i Ministrave. Masat që hyjnë në fuqi nga 6 dhjetori deri në 15 janar, përfshijnë të ashtuquajturën “Super Green Pass”, certifikata e gjelbër që do t’i jepet vetëm personave të vaksinuar apo të shëruar nga koronavirusi, dhe jo atyre që kanë test negativ.
Hyrja në spektakle, evente sportive, bare, restorante e diskoteka do t’iu mundësohet vetëm atyre që kanë Super Green Pass në të tria zonat, të bardhë, të gjelbër e portokalli. Por në zonën e bardhë, ku situata me pandeminë është nën kontroll, do të mund të hyhet edhe me test në restorantet në ambient të hapur, palestra, pishina dhe aktivitete sportive në përgjithësi.
“Duam të ruajmë normalitetin. Nuk duam rreziqe, duam të vazhdojmë të jemi të hapur, të kemi fëmijët në shkollë”, thotë Mario Draghi, kryeministri italian.
Rregullat e reja do ta bëjnë jetën më të vështirë për të pavaksinuarit.
Që nga 15 tetori, vendet e punës në Itali i nënshtrohen rregullave që kërkojnë dëshmi të vaksinimit, të testit negativ për koronavirusin ose të shëruar nga Covid-19.