Kryesore Çështja Beleri, DASH: Të trajtohet sipas ligjeve shqiptare

Çështja Beleri, DASH: Të trajtohet sipas ligjeve shqiptare

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga seanca e parë ndaj kryebashkiakut të zgjedhur për Himarën, Fredi Beleri në Gjykatë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit.

Uashingtoni zyrtar u dërgoi një mesazh autoriteteve shqiptare duke u kujtuar se pret që të respektohet shteti i së drejtës në çështjen “Beleri”.

“Ne jemi në dijeni të rastit të ndalimit të Fredi Belerit dhe presim që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit.”

Pas refuzimit nga Drejtoria e Burgjeve për t’i dhënë një leje të posaçme për kryerjen e betimit si kryebashkiak, Beleri tha se ky është një kufizim i rëndë i të drejtave kushtetuese. Pritet që seancën e parë gjyqësore ndaj Belerit ta monitorojë edhe një delegacion nga Dhoma e Avokatëve të Athinës.

Beleri ndodhet në paraburgim që nga data 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale i arrestuar me akuzën e blerjes së votave tek i infiltruari i policisë.

Mos dhënia e lejes nga autoritetet shqiptare për Belerin për betimin si kryebashkiak i zgjedhur me votat e banorëve të Himarës ka sjellë ngrirjen e marrëdhënieve greko-shqiptare gjë që u shfaq me mos dërgimin e nje ftese nga Mitsotakis për Ramën në takimin me liderët e rajonit. Greqia ka paralajmëruar vendosjen e vetos për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe ndërprerjen e fondeve evropiane për vendin tonë.

Në seancën paraprake, do vendoset nëse dosja hetimore e Belerit e përgatitur nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim do të kalojë apo jo për gjykim.