Arrestimit të kandidatit të opozitës, “Bashkë Fitojmë”, fitues në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është diskutuar në Bruksel ndërmjet ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Olta Xhaçka dhe Niko Dendias.
Ka qenë vetë kryediplomati grek që nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale publikon foton.
“Gjatë samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, u takova me homologen shqiptare, Olta Xhaçka. Gjatë diskutimit u ngrit edhe çështja në lidhje me kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.”
Dendias gjithashtu ka bërë të ditur se ka njoftuar në takimet e veçanta ministrat e Jashtëm të vendeve të Unioni mbi çështjen Beleri, të cilët në axhendën e diskutimeve patën edhe situatën në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ndërkohë zbuloi edhe qëndrimin e Tiranës në lidhje me këtë takim me homologun grek.
“Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të drejtave të njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë”.
Kryediplomatja shqiptare thekson se e vetmja gjë që të gjithë mund të bëjnë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë.
Arrestimi dhe futja në burg e Belerit me akuzat për shitblerjen e votave dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, solli reagimin edhe të kryeministrit grek Kryeministri Mitsotakis.
Shefi i qeverisë greke kërkonte lirimin e Belerit, e në të njëjtën kohë paralajmëroi se kjo do të ndikonte në marrëdhënieve mes dy vendeve, por për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërsa kryeministri Edi Rama premtoi se do të fliste pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Greqi, duke deklaruar se minoriteti grek nuk është mish për topat elektoral të askujt, as në Shqipëri, as në Greqi.