Politika “Çështja e detit do të zgjidhet shpejt”, Dendias: Rama është dakord. Marrëveshja...

“Çështja e detit do të zgjidhet shpejt”, Dendias: Rama është dakord. Marrëveshja është shembull edhe për Turqinë

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, në një intervistë të dhënë për mediat greke është ndalur tek marrëdhëniet me Shqipërinë duke komentuar edhe çështjen e Detit.

Ai tha se vlerëson marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë, duke theksuar se këtë vit pritet të ketë zhvillime të reja lidhur me çështjen e detit.

Gjatë kësaj interviste, Dendias sqaroi se kryeministri Edi Rama është dakorduar në parim lidhur me këtë çështje. Më tej shtoi se marrëveshja është gjithashtu edhe një shembull për Turqinë.

Pyetje: Çfarë po bëhet me projektin e marrëveshjes? Do të zhbllokohet një moment?

Dendias:Po”, do të zhbllokohet. Besoj më herët se sa e mendojmë. Historia e marrëveshjes në parim me Shqipërinë është diçka për të cilën unë jam veçanërisht i lumtur. Mund të them me krenari se Shqipëria ka rënë dakord në parim dhe këtu duhet të vendosim emër, Edi Rama u dakortësua në parim. Se si konkretisht do të specifikohet në draft projekti për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, do duhet ta shohim në kuadrin e autorizimit që do t’i jepet qeverisë Rama nga presidenti shqiptar. Por parimisht, marrëveshja është e shkëlqyer, një marrëveshje shembull për Turqinë. Sepse të mos harrojmë se Edi Rama është mik i ngushtë i presidentit Erdogan, Shqipëria është vend mik i Turqisë. Unë besoj se mund të jetë njësoj vend mik edhe i Greqisë. Nuk e konsideroj një lojë të shumëzuar me zero.