Qeveria është duke pritur autorizimin nga Presidenti i Republikës për të vijuar procesin me Greqinë për çështjen e detit.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në konferencën për shtyp me gazetarët shpjegoi se në cilën fazë është kjo çështje.
“Angazhimi është maksimal por dhe qëndrimet janë të qarta, Greqia është fqinj i rëndësishëm i Shqipërisë, vend anëtar i BE dhe është një fqinj me kontribute dhe merita të veçanta. Për këtë, ne angazhimin e kemi të plotë, maksimal, si në raport me Athinën zyrtare dhe në raport me Brukselin. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Republikës. Pres nga ai nëse ka më shumë nevojë për më shumë informacion. Di që ka patur komunikim shkresor disa muaj më parë. I kam shprehur gatishmërinë që ne ta ushqejmë me më shumë informacion apo ide lidhur me vendimin që duhet të marri për të na fuqizuar me dhënien e mandatit për të filluar qartazi një negociatë”, u shpreh Hasani.
Si Shqipëria ashtu dhe Greqia kanë deklaruar se çështjen e detit mes tyre do ta zgjidhin në Gjykatën e Hagës.