Mosmarrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për delimitimin e hapësirës detare mund të mos zgjidhjet brenda mandatit të tretë të Partisë Socialiste, sipas ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
E pyetur në një intervistë në Euronews nëse mosmarrëveshjet për detin do të marrin zgjidhje brenda 2025, Xhaçka tha:
“Nuk di ta them këtë, mbase do jetë më e gjatë se aq, nuk di afatet që ka gjykata ndërkombëtare, nuk di të them se kur do të mbaroj ky proces i mbledhjes së informacionit, por di t’u them se secili po punon për hesap të vet, për ta bërë të mundur secili dosjen e vet”.
Në tetor të 2020, kryeministri Edi Rama njoftoi se mosdakortësia mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit do të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.
Megjithatë ministrja Xhaçka është shprehur se nuk ka një afat kohor se kur palët do t’i drejtohen gjykatës.
Ministrja konfirmoi se pala shqiptare po përgatit dosjen për t’u përballur me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por deri tani ende nuk është miratuar asnjë dokument lidhur me këtë çështje.
“Në këtë pikë, ajo që palët kanë rënë dakord është që grupet respektive në Shqipëri dhe Greqi, secili të punojë për dosjet e tyre dhe eventualisht të koordinojnë kur çështja të shkojë në Gjykatë. Pala shqiptare po punon për dosjen e saj, ekspertët më të mirë shqiptarë të hartografisë, ata ligjorë mbi të gjithë për precedentët ligjorë që duhen konsideruar, ata në Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes, po mbledhin të gjithë informacionin për të ngritur atë kazusin tonë, që eventualisht do ta çojmë në Gjykatën e Hagës. Nuk ka një afat, jemi të dyja palët në fazën përgatitore për të mbudhur informacionin e domosdoshëm dhe do të koordinojmë çuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”, tha ajo.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme foli edhe për shqetësimin e ngritur nga Greqia për tjetërsimin e pronave të minoritetit që jetojnë në Shqipëri.
“Unë di se ky nuk është një pretendim sot, është një pretendim i ndarë me autoritetet shqiptare kohë më parë. Di se ka pasur edhe disa ndryshime ligjore sa i takon ligjit për të cilën edhe kadastra ka pasur një vëmendje të veçantë, kam përshtypjen që është një proces, i cili respekton më së miri të drejtat e banorëve atje, qoftë minoritet, qoftë për vendasit në jug, por nuk besoj se është një proces që cenon të drejtën e askujt”, tha Xhaçka.