Kryeministri Edi Rama reagoi edhe njëherë në konferencën e fundit për këtë vit me gazetarët për çështjen e detit dhe vendimit të Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon.
Sipas kreut të qeverisë, të gjitha debatet që hapen në Tiranë dhe Prishtinë bëhen për të luajtur me ndjenjën kombëtare dhe qëllime elektorale. Ai shtoi se nuk ka një marrëveshje për detin dhe kjo është arsyeja pse çështja është dërguar në Hagë.
“Për çfarë të reagojmë ndaj shtetit grek? Çfarë ka për të mos u kuptuar. Unë besoj se ata që i fryjnë këtij zjarri janë të qëllimshëm qoftë nga Lalzi, Presidenca apo Prishtina. Unë e kam të vështirë të besoj që këta fryrës të këtij zjarri të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës, por kjo që bëjnë është e qëllimshme për të luajtur me ndjenjat kombëtare, për të krijuar rastin për të një sebep për sherr, në mënyrën më të ulët të mundshme.
Shqipëria në 1990 ka bërë të njëjtën gjë që po bën Greqia sot. Sipas Konventës së Detit, çdo shtet që ka dalje në det, ka të drejtën të zgjerohet 12 milje përtej kufirit, aty ku është e mundur. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në 1990 me një dekret të presidiumit të Kuvendit të Popullor dhe e ka depozituar në maj të 1990 në Kombet e Bashkuara. Nuk rezulton që Greqia të ketë bërë ndonjë reagim në atë kohë, pasi është e drejtë e çdo vendi. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Greqia për detin Jon. Për pjesën mes të dyja vendeve nuk ka mundësi të shtrihet 12 milje, është e pamundur. Prandaj do të shkojmë në gjyq”, tha Rama.