Kompania gjermane, EMS Shipping & Trading ka depozituar në Gjykatën e Arbitrazhit e ICSID në Uashington një padi ndaj shtetit shqiptar.
Akuza është regjistruar në datën 7 prill dhe objekt i padisë janë për mosmarrëveshjen sa i takon koncesionit për Portin e Durrësit.
Që nga viti 2013, kjo kompani zotëron të drejtën e kontratës koncesionare për të operuar Terminalin Lindor në Portin e Durrësit, për ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve. Në padinë ndaj shtetit shqiptar, kompania gjermane kundërshton projektin e ri të transformimit të portit, që do të bënte që kjo kompani të zhvendoste operimin e saj në portin e ri në Porto Romano. Por, sipas gjermanëve në mungesë të portit të ri, vazhdimi i aktivitetit koncesionar nuk është i sigurt.
Kompania ka edhe rreth 25 vite të mbetura në kontratën 35-vjeçare, ndërsa fitimet e saj në vitin 2021 llogariten në rreth 1,3 milionë euro. Duke u bazuar te ky fitim, edhe kërkesa për dëmshpërblim nga ky gjyq i ri në arbitrazh mund të shkojë deri në nga disa dhjetëra milionë euro.
Sakaq, mësohet se përpara se t’i drejtohej Arbitrazhit, EMS i kishte dërguar një letër përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, Kuvendit dhe përfaqësive diplomatike të Gjermanisë dhe BE-së në Shqipëri, ku shprehte shqetësimet e saj për transforimimin e portit të Durrësit.