Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se “Edi Rama ka lekë të blejë këdo, por jo atë dhe Sali Berishën”.
Sipas tij, “Rama ka arritur që të korruptojë edhe zyrtarë të lartë të FBI-së, referuar Charles McGonigal…, por asgjë nuk do ta shpëtojë atë nga ndëshkimi“. “Mund të ketë lekë sa të dojë por Ilir Metën e Sali Berishën nuk i blen dot. U bëj thirrje socialistëve ta largojnë sa më shpejt që të mos përfundojë si PASOK-u”, tha Meta në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ku ndër të tjera theksoi se në 14 maj do t‘i jepet fund monizmit në Bashki.
Sipas Metës, fakti që kryeministri Edi Rama nuk pranon ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen McGonigal është tregues se ai ka frikë, pasi “është i zhytyr në skandal“.
“Përpjekja e tij për t’iu shmangur hetimit nga parlamenti është e pashpresë. Ka delegjitimuar veten e tij, ka marrë përsipër të fshihet pas fustanit të disa grave, por nëse Amerika është ngritur në këmbë për një drejtor të korruptuar dhe bën komision hetimor në kongres, senat, pa asnjë diskutim parlamenti do kthehet në normalitet kur të fillojë komisioni hetimor për këtë çështje. Kur qenka i pastër, i ndershëm pse ka frikë? E mbani mend kur më thërriste Ulësiu mua në Kuvend? Më thoshin këshilltarët nuk do shkosh se komisioni është i paligjshëm. Unë të mos shkoj atje, mirë dakord Kushtetuta e ligji thotë kështu, po ata qytetarë që thonë pse nuk shkon Presidenti. Do shkoj për interes të tyre. Ta gjykojnë ata. Llogaridhënia, transparenca është detyrë e pashmangshme. Sa më lart pozicioni, aq më shumë e ke për detyrë llogaridhënien para qytetarëve”, tha Meta.