Konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal.
Krahas kësaj, konferenca miratoi kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit.
Ndërkohë që në mbledhjen e sotme, përfaqësuesja e PD në Konferencën e Kryetarëve, Flutura Açka ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si u mbyll seanca e shkuar duke shmangur kështu debatin për skandalin McGonigal.
Açka e quajti fashizëm farlamentar atë që ndodhi në Kuvend.
“Po ndodh fashistizimi i Parlamentit. Në nuk jemi as prokurorë dhe as inkuizitorë por jemi mandatuar të kërkojmë llogari dhe mbyllja e seancës është shkelje e Rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës së Republikës“, mësohet të ketë thënë deputetja demokrate.
Të hënën e kaluar, kreu i PD, Sali Berisha bllokoi foltoren e Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën se po tenton t’u mohojë fjalën deputetëve të opozitës: “Për shkak të një personi që ka inkriminuar veten nga këmbët te koka, parlamenti funksionon kundër parimeve të një vendi të lirë. Ky parlament u mohon deputetëve të drejtën kushtetuese. Ky parlament është shndërruar në funksion të një njeriu, i cili ka argument të vetëm sharjen si ordiner”.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i kërkoi Berishës të ulej, pasi i kishte përfunduar fjala, por kreu demokrat vijoi të fliste, madje pranë tij në foltore shkuan edhe deputetë të tjerë të opozitës. Kjo bëri që Nikolla të ndërpriste seancën.
Deputetët e opozitës kishin kërkuar prezencën e kryeministrit Edi Rama në sallë, ndërsa një kërkesë e bërë më herët gjatë ditës për ndryshimin e rendit të ditës për të mbajtur një mocion me debat për çështjen McGonigal, u rrëzua me votë nga mazhoranca.
Pas tensioneve në Kuvend, Sali Berisha dhe 4 deputetë të PD-së u përjashtuan me 10 ditë.