Një punonjëse bamirësie italiane, e cila u rrëmbye në Kenia në vitin 2018, u rikthye në Itali një ditë më parë. Silvia Romano, 25 vjeç, u rrëmbye nga grupi terrorist Al Shabab.
Historia në pak rreshta
Por pas përqafimit të parë me prindërit dhe motrën, historia mori një kthesë tjetër. Silvia ishte veshur si myslimane dhe u kërkoi njerëzve ta thërrasin Aishe. Ajo deklaroi se ishte konvertuar në myslimane me dëshirën e saj. Rrëmbyesve u kishte kërkuar Kuranin për ta lexuar dhe pas njëfarë kohe, ajo u bë myslimane.
“Tani quhem Aisha dhe kjo është një zgjedhje e imja spontane e bërë rreth 5 muaj nga rrëmbimi në Afrikë. Kam emrin e vajzës së Abu Bakir, kalifi i parë islamik, e cila u martua me Profetin Muhamet dhe e konsideruar “nëna e besimtarëve”, tha ajo.
“Konvertimi im në Islam erdhi pasi kërkova të lexoj Kuranin. Nuk jam detyruar dhe nuk më është ushtruar asnjë dhunë fizike. Rrëmbyesit ishin të armatosur dhe nuk i pashë kurrë në fytyrë pasi e kishin të mbuluar e më kanë trajtuar mirë. Më premtuan se nuk do të më vrisnin dhe e mbajtën fjalën. Gjatë këtyre muajve kam mësuar gjuhën arabe dhe rrëmbyesit më kanë shpjeguar motivet e këtij akti si dhe kulturën e tyre. Procesi i konvertimit në Islam ka qenë i ngadaltë, një zgjedhje e imja. As jam martuar e as nuk jam në lidhje sentimentale me ndonjë nga rrëmbyesit”, ka rrëfyer 25-vjeçarja italiane.
Ky rrëfim i saj ka sjellë edhe reagime të ashpra. Deputeti Vittorio Sgarbi thotë se ajo duhet të arrestohet. Matteo Salvini thotë se “nuk ka asgjë falas në këtë botë”
Kurse gazeta Corriere della Sera shkruan se në këtë rast bëhet fjalë për atë që njihet si Sindroma e Stokholmit.
“Sindroma e Stokholmit është një gjendje e veçantë psikologjike ku viktima e një rrëmbimi krijon afeksion për rrëmbyesin. Sindroma e Stokholmit përfaqëson një paradoks të sjelljes njerëzore: pengu ndjen simpati, mirëkuptim, eupati, besim, lidhje dhe ndonjëherë dashuri për rrëmbyesin”.
Sipas gazetës, edhe në rastin e Silvia Romanos mund të bëhet fjalë për Sindromën e Stokholmit. “Burimet hetimore nuk e përjashtojnë që të jetë një situatë psikologjike e lidhur me kontekstin në të cilin vajza ka jetuar në këto 18 muaj, jo domosdoshmërisht e destinuar të zgjasë me kalimin e kohës”, shkruan gazeta.