Fëmijët mund ta mbajnë virusin në hundë deri në tre javë. Është ky përfundimi i një studimi të fundit në Korenë e Jugut. Studimet e mëparshme kanë zbuluar se shumica e fëmijëve të infektuar kanë simptoma të lehtë ose nuk kanë fare. Megjithatë gjetjet e fundit shtojnë akoma pikëpyetjet se si fëmijët mund të përhapin virusin tek të tjerët.
Në fund studimi theksonte rolin e rëndësishëm që ka distanca sociale dhe higjiena kur fëmijët të kthehen në shkollë. Ne e dimë me siguri që edhe fëmijët e marrin virusin, megjithatë sipas informacioneve, profesori Russell Vinner nga Royal College tha se ata janë më pak të ndjeshëm në infektime se të rriturit, veçanërisht ata që janë nën moshën 12-vjeçare.
Shkencëtarët besojnë fort që fëmijët kanë më pak mundësi që të sëmuren rëndë megjithatë roli i tyre në përhapjen e infektimeve shpesh vihet në pikëpyetje.
Studimi i Koresë së Jugut u bazua tek 91 fëmijë, me simptoma ose asimptomatikë dhe zbuluan shenja të virusit në tamponë tre javë më vonë. Mirëpo fakti që virusi gjendet në hundën e fëmijës nuk provon që transmetohet në të njëjtën shkallë si tek të rriturit.
“Është e palogjikshme të mendosh që fëmijët nuk kanë rol në transmetimin e sëmundjes duke qenë se e mbartin sëmundjen”, tha doktoresha Roberta DeBiasi në SHBA.
Si përfundim mjekët mendojnë që një numër i caktuar personash asimptomatikë kanë rol të madh edhe në përhapjen e sëmundjes. Ndërkohë profesori Viner tha se mbajtja e shkollave mbyllur nuk është i duhuri pasi ka risqet e veta që kanë të bëjnë me zhvillimin e fëmijëve, edukimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve.
Ndërkohë rreziku aktual që paraqesin fëmijët mbetet ende një pyetje e hapur, përgjigja e së cilës do të ishte jetësore për kontrollimin e shpërthimeve në të ardhmen.