Kryesore Çështja Xhaçka, Komisioni i Venecias zbardh raportin për mandatin e deputetes së...

Çështja Xhaçka, Komisioni i Venecias zbardh raportin për mandatin e deputetes së PS

Komisioni i Venecias ka publikuar raportin në lidhje me kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për interpretimin mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Sipas Venecias, respektimi i vendimeve të Kushtetueses është i rëndësishëm për garantimin e shtetit të së drejtës.

“Venecia” thotë se të gjitha autoritetet, pra përfshi edhe Kuvendi i Shqipërisë, janë të detyruara të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar të respektojë dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra nuk mund të ketë diskrecion politik për të respektuar dhe zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast specifik, Gjykata Kushtetuese ka dhënë dy vendime dhe pajtueshmëria me këto vendime nuk duhet të bëhet kushtëzuar nga vota apo nga shumica parlamentare”, theksohet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Gjykata Kushtetuese është shprehur me dy vendime ku ka sanksionuar se trupa e saj është e vetmja që mund të shqyrtojë themelin e çështjes, arsye për të cilën Kuvendi duhet t’ia dërgojë për gjykim. Kryetarja Olta Zaçaj edhe publikisht deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese edhe për Kuvendin. Socialistët pretendojnë se Kushtetuta u jep të drejtën të mos pajtohen me këtë qasje, ndaj dhe për të zgjidhur konfliktin, kërkuan një opinion nga Komisioni i Venecias.

“Çështja e mandatit të një deputeti kuptohet si vijon: “Çfarë standardesh rregullojnë mandatin e një deputeti në një demokraci parlamentare përfaqësuese dhe në çfarë rrethanash një deputet mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar? Përfundimi mund të jetë ky: “Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimin e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si një element të sundimit të ligjit. Kjo pajtueshmëri nuk duhet të bëhet e kushtëzuar nga vota e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e sundimit të ligjit. Kur një gjykim i Gjykatës Kushtetuese interpreton se Kushtetuta kufizon fuqinë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të zbatojë vendimin dhe ta votojë çështjen në fjalë siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe jo vetëm mbi mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti pra nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm çështjet që janë kompetencë e tij”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.