Një lidhje Skype për Wake Up në TCH, drejtori i aeroportit ndërkombëtar të Kukësit, Altin Progonati bëri të ditur se ky aeroport do ketë çmimet më të ulëta në rajon.
“Është një pistë që mund të presë deri në 80-90 tonë kategori avionësh, por gjerësia e saj dhe kategoria 3c e kushtëzojnë deri në avionët 73.5 që mund të presë kjo pistë. Këta lloj avionësh janë Boeing dhe Airbus. Mund të parkohen 3 avionë njëkohësisht dhe mund të ngrihen 4 avionë brenda një ore.
Kapaciteti maksimal është deri në 500 mijë pasagjerë në vit. Gjatë ditës, duke llogaritet edhe orët e operimit, aeroporti mund të përpunojë deri në 6 mijë pasagjerë.
Në datën 20 maj aeroporti do jetë efektiv për të fluturuar. Kështu që pas 20 majit presim të fillojmë fluturimet dhe pastaj të çajmë dhe qiejt e Europës”.
Çfarë do e dallojë aeroportin e Kukësit në nivel rajonal
“Aeroporti i Kukësit është menduar si ‘low cost’ dhe projeksione tona për çmimet janë ndër më të ulëta në rajon. Kemi çmimet më të ulëta të tregut. Edhe kompanive u kemi kërkuar që të jenë low cost me çmime”, u shpreh Progonati, një ditë pasi në pistën e aeroportit të Kukësit u ul avioni i parë.