Politika Çfarë do të ndodhë më 20 shkurt? Bardhi dhe Noka zbulojnë detaje...

Çfarë do të ndodhë më 20 shkurt? Bardhi dhe Noka zbulojnë detaje nga skenari i protestës

Nga Korça sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka dhe kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie Gazment Bardhi u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të pranishëm në protestën e thirrur nga PD në datën 20 shkurt.

Bardhi i ka kërkuar çdo demokrati të marrë me vete edhe pjesëtarët e familjes në këtë tubim që sipas tij, do të jetë masiv dhe paqësor.

“Atëherë dhe nga Korça i bashkohemi turit tonë të bashkimit të demokratëve në bazë dhe sigurisht asaj që ndodh pas dy ditësh, protestës kombëtare të 20 shkurtit. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo qytetari të Korçës të na bashkohet në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, jo thjesht për të protestuar krah Partisë Demokratike apo për PD, por për të protestuar për veten, fëmijët e tyre dhe familjen e tyre. Skenarët do t’i shini në datë 20. Protesta është formë për të reaguar. Do të jetë formë reagimi qytetar sigurisht, prandaj nuk ka asnjë gjë për t’u ndalur. Qytetarët duhet të vijnë bashkë me fëmijët e tyre, me familjarët dhe miqtë. Të jemi të gjithë për të reaguar kundër qeverisë. Ftojmë qytetarët në një protestë paqësore ndaj bëra dhe thirrje për të marrë fëmijët dhe familjarët. Protesta është edhe formë reagimi dhe qytetarët do të jenë të lirë atë ditë të shprehin reagimin e tyre ndaj qeverisë. Reagimi nuk është as me porosi as me skenarë”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër Noka i pyetur për skenarin e mundshëm të kësaj proteste, është përgjigjur shkurt kur tha: “Protesta është protestë”.

“Ne jemi në një tur, tashmë ndalojmë në Korçë që dikur ka qenë Zojë e bukur por tashmë është e harruar dhe braktisur. Rilindja i jep vetëm beton Korçës. Varfëria dhe shpopullimi është një nga plagët më të rënda q po ndjen ky qytet. Jemi këtu me deputetë dhe strukturat të PD-së për të trokitur në dyert e qytetarëve korçarë, për të sensibilizuar se sot është dita për të protestuar. Korça ka nevojë për ndryshim dhe për të marrë vëmendjen e shtetit, dhe jo për thundrën e pushtetit”, tha ai.

Dy figurat e larta të PD që kanë marrë në dorë drejtimin e aksionit opozitar pas arrestit të kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, u kanë kërkuar edhe demokratëve devollinj të jenë të pranishëm në protestën e 20 shkurtit.