Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se protesta e opozitës ditën e premte më 21 Qershor do të jetë e qetë dhe paqësore.
Në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Basha u shpreh se ditën e nesërme do të jetë në protestë me dy vajzat dhe bashkëshorten.
“Nesër do dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia, do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare. Përpjekjet për të amnistuar krimet në të cilat është kapur në flagrancë Edi Ramën kanë dështuar tashmë. Unë do dal me vajzat e mia, me gruan time, do të jemi në protestë, ju bëj thirrje merrni fëmijët me vete, nuk do të ketë asgjë. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator. Nuk ka shërbëtorë nga Beogradi apo ngado që të vijë që ta mbrojë më”.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu çfarë do të ndodhë më 30 Qershor, kryedemokrati Basha theksoi se nuk do të ketë zgjedhje pasi Dekreti i Presidentit për anulimin e tyre është botuar në Fletoren Zyrtare.
“Më 30 Qershor do të jetë një ditë ku nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Në Fletoren Zyrtare është botuar Dekreti i Presidentit i cili ka hyrë në fuqi. Ligji i zbatueshëm është që në 30 Qershor nuk ka zgjedhje. Kemi vendosur të jemi të qetë, të bashkuar, se këtij regjimi po i vjen fundi”.