Aktualitet Çfarë duhet të dini për sulmin terrorist në veri të Kosovës

Çfarë duhet të dini për sulmin terrorist në veri të Kosovës

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi. Shpërthimi ndodhi pas disa incidenteve gjatë ditëve të fundit.

Për autoritetet e Kosovës, prapa këtij shpërthimi në veri të vendit janë bandat kriminale me mbështetje të Beogradit.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Dëmi u konsiderua serioz dhe u shkaktuan ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nga Prishtina, në një konferencë urgjente, kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar. “Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia”, tha ai.

Sulmin e 29 nëntorit e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.

Kurse, kryeministri Kurti sot njoftoi se punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në sanimin e dëmit të shkaktuar.

Policia e Kosovës sot po zhvillon një aksion në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut. Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Presidentja Vjosa Osmani, pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Begaj telefon Osmanin

Presidenti i Republikës së Shqipërisë zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës  kritike të Kosovës e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Presidenti mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, thotë Presidenca në një njoftim.

Në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani e ka njoftuar Presidentin Begaj në lidhje me zhvillimet e fundit në veriun e vendit, cenimin e sigurisë kombëtare nëpërmjet sulmeve në infrastrukturës kritike si dhe për masat e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë situatë, thuhet në një njoftim të zyrës së Presidentes së Kosovës.

Të dy presidentët, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në adresimin e sfidave të sigurisë rajonale.

Reagon kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit në ujësjellësin e Ibër Lepencit në Kosovë.

Ky akt sabotazhi është një krim i rëndë, thotë kreu i qeverisë shqiptare, duke shtuar se godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai bën thirrje për zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, shkruan Rama.

Po ashtu ai gjen momentin që të bëjë thirrje për heqjen e sanksioneve të mbetura ndaj Kosovës nga ana e BE-së. Sipas Ramës, unioni duhet të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, pasi formati ekzistues ka dështuar. Kryeministri shqiptar thotë se është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës.

“Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, shkruan Rama.