Për më shumë se një shekull, tregtarët kanë udhëtuar drejt Dubait në kërkim të erëzave, perlave dhe arit. Me një tregti kaq të fortë, Dubai u bë i njohur si ‘Qyteti i Arit’.
Gjatë nëntë muajve të vitit 2020, tregtia e arit në vend u vlerësua në 41 miliardë euro.
Pas naftës, ky është eksporti më fitimprurës, ndaj të cilit ka ndikuar padyshim edhe pozicioni i tij gjeografik.
I gjithë zinxhiri i arit
Në Al Etihad Gold, ata rafinojnë dhe shndërrojnë arin në lingota. Ata furnizojnë jo vetëm bankat me lingota ari, por edhe tregtarët me shumicë të argjendarive. Al Etihad gjithashtu ka akreditimin e Dorëzimit të Mallrave të Dubait, i cili është një pikë referimi ndërkombëtare për cilësinë dhe specifikimet teknike.
Bashkëpronari i rafinerisë së arit në Al Etihad, Salah Khalaf, thotë se ai vazhdon të mbetet një prej produkteve më të shitura dhe i nxit vazhdimisht njerëzit që të investojnë vetëm në produkte ari. “I gjithë qarku i këtij procesi mbyllet në këtë qytet, veçanërisht në drejtim të infrastrukturës, stabilitetit dhe sigurisë”, thotë ai.
Një vlerë konstante
Rafineria prodhon lingota ari në madhësi të ndryshme. Si çdo mall, çmimi i tij mund të ndryshojë. Bazuar në normat aktuale të tregut, një lingotë prej 10 kg tregtohet me çmimin prej 450 000 eurosh. Lingotat e përfunduara u shiten bankave dhe tregtarëve me shumicë.
Një nga bizneset me shumicë më të mëdha të arit në qytet u krijua nga familja Abdullah në vitin 1955. Në Jawhara, ata specializohen në tregtinë e arit, bizhuterive dhe diamanteve. Më vonë, ata e zgjeruan biznesin edhe në tregti me pakicë.
Tawhid Abdullah është CEO-ja dhe drejtori i Grupit të Bizhuterive në Dubai. Ai shprehet se kjo industri po lulëzon, sepse ka rreth 40-50 tonë ari gjendje, i cili do të shitet si me shumicë si dhe me pakicë. Industria e stolive dhe arit është gjithashtu e rregulluar mirë edhe në Dubai. Mbi 700 anëtarë janë pjesë e Grupit të Arit dhe Bizhuterive në Dubai, një organizatë jofitimprurëse.
Vlerësohet se rreth 20 deri në 40% të rezervave të arit në botë kalojnë çdo vit nëpërmjet Dubait. Në këtë qytet mund të gjesh rreth 300 dyqane në vetëm një gjysmë kilometri katror.
Vendndodhja ideale
Një faktor tjetër për suksesin e Dubait është pozicioni gjeografik. Brokerat e arit përfitojnë nga zona kohore. Duke qëndruar të hapur nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 11:00 të mbrëmjes, ai është kështu një nga shkëmbimet e pakta në botë që kap çdo zonë kohore nga Australia e deri në bregun perëndimor të SHBA-së.
Për Jeffrey Rhodes, themelues i Rhodes Precious Metals Consultancy (RPMC), zemra e industrisë së arit në Emiratet e Bashkuara Arabe do të jetë gjithmonë tregu në Souks. Z. Rhodes shpjegon se ka faktorë të ndryshëm që kontribuojnë në suksesin e përhershëm të tregtisë së arit atje.
“Janë njerëzit, është infrastruktura, janë udhëheqësit”, vazhdon ai më tej. Një faktor tjetër është çmimi, ‘është thjesht vendi me koston më efektive në botë për të blerë stoli ari. Taksimi është shumë i lartë. Ky është vendi më i mirë për të blerë. Për sa i përket vlerës, ari i Dubait është pa taksa për turistët. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz vendosin të vijnë në Dubai, vetëm për të blerë bizhuteri ari.
Kiran Pithani hapi së bashku me vëllain e tij në vitin 2005, rrjetin e dyqaneve me bizhuteri, Cara. Ata kanë disa prej dyqaneve me shitjet më të larta në vend.
Popullariteti i vazhdueshëm
Për Pithanin, “ari do të mbetet gjithmonë i famshëm” në Dubai. Ai është gjithashtu edhe një prej metaleve që lidhet edhe me monedhën vendase. Ashtu siç ndodhi edhe me pjesën më të madhe të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në botë, edhe ai i arit në Dubai pësoi rënie gjatë fazave të para të pandemisë, por në tremujorin e katërt të 2020-s ai e rimori veten.