BE nuk e mundi dot pandeminë në vitin 2021. Pandemia, ekonomia, konfliktet me fqinjët mbeten sfidat dhe sprovat kryesore të Evropës edhe për vitin 2022?
Nga Bernd Riegert
Vështrimi pas në vitin 2021 dhe perspektiva e vitit 2022 për Bashkimin Evropian mund të përmblidhen me një fjalë: Pandemi! Luftimi i pandemisë së koronës ishte dhe do të mbetet temë sunduese. Ministri i ri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, SPD, që në të ardhmen do të ketë një zë të rëndësishëm në raundin e 26 ministrave të Shëndetësisë në BE e ka bërë të qartë në fillim të dhjetorit. “Pandemia do të zgjasë më shumë, se sa kemi besuar deri tani.” Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mjeke me profesion, tha se vala e katërt e pandemisë është e rëndë, por në vitin 2022 mund të na presë sprova tjetër.
Vaksinim, vaksinim, vaksinim
“Shohim përpara një kërcënim të ri, pra variantin Omikron”, tha von der Leyen në Bruksel. Kundër tij BE duhet të veprojë me forcimin e vaksinimeve. “Studiuesit na thonë që tani, se vaksina dhe rifreskimi i saj ofrojnë mbrojtjen më të mirë kundër Covidit.” Në rast nevoje ata mund ta përshtasin atë edhe kundër mutacioneve. BE i ka nënshkruar ndërkohë marrëveshjet me firmat prodhuese.
Në vitin 2021 Komisioni Europian me porosi të 27 vendeve anëtare siguroi rreth 1 miliardë doza vaksine për qytetarët e BE. 350 milionë vaksina të tjera iu dhanë iniciativës ndërkombëtare të OKB, COVAX. Në vitin e ardhshëm BE do të vazhdojë të sigurojë edhe më tej vaksinat. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen premtoi mbështetjen e më shumë reparteve të prodhimit, sidomos në Afrikë, ku mund prodhohet dhe të dërgohen më shumë doza vaksine në këtë kontinent. “Ne do të forcojmë përpjekjet tona të mbështesim Afrikën, aty ku kuota e vaksinimit është më e ulët”, premtoi Ursula von der Leyen.
Kuotat në vendet anëtare ende të ulta
Brukseli në fillim ishte shumë i ngadalshëm në sigurimin e vaksinës dhe pati kritika të forta nga shumë shtete anëtare. Pas valës së fortë të infektimit në pranverë, pasoi një verë e qetë 2021. Në të gjithë BE u rihap jeta, klubet e aktivitetet, njerëzit shkuan me pushime. Por në BE ishte arritur vetëm një kuotë 66% e vaksinimit, e pamjaftueshme kjo për të ndalur valën e infektimit në vjeshtë dhe mbingarkesën e sistemit shëndetësor.
Kuotat e vaksinimit në BE janë të ndryshme. Ato variojnë nga 26% në Bullgari deri në 82% në Maltë. Për fushatat e vaksinimit, masat mbrojtëse si teste apo detyrimin për vaksinim në vendin e punës, dyqane e restorante apo shkolla janë përgjegjëse vendet anëtare. BE mundet vetëm ta kundronte nga Brukseli kaosin e masave të ndryshme dhe rregulloreve kudo në Europë. Të paktën u arrit që kufijtë e brendshëm të BE të mbeteshin në masë të madhe të hapura me ndihmën e pasaportës së njësuar të Coronës.
Austria, Gjermania duan të fusin vaksinimin me detyrim. Greqia, Italia e vende të tjera e kanë parashikuar këtë për disa profesione. Edhe presidentja e KE, von der Leyen tha se debati për një detyrim të vaksinimit “është i përshtatshëm dhe i nevojshëm”. Ministrat e Shëndetësisë së BE do të konsultohen në vitin 2022 nëse ka kuptim futja e një vaksinimi me detyrim në të gjithë BE.
Rimëkëmbja ekonomike dhe shteti ligjor
Rimëkëmbja e ekonomisë që u ndje në vitin 2021 duhet mundësisht të vazhdojë e synohet të shënojë madje rritje gjatë vitit 2022. Një ditë buxhetet në krizë të shumë vendeve të BE duhet të rikuperohen. Për këtë është përgatitur fondi 750 miliardë euro i BE nga i cili janë dhënë ndërkohë këstet e para. Nga programi i BE i financuar me borxhe të përbashkëta përfitojnë kryesisht vendet e jugut dhe ato lindore, në krye Italia.
Polonia dhe Hungaria ende nuk marrin fonde. Ato kanë dorëzuar programe investimesh, por Komisioni Europian do të dorëzojë fondet, kur të zgjidhet grindja për shtetin ligjor me Poloninë dhe Hungarinë. Viti 2021 ishte vit i grindjeve të mëdha për shtetin ligjor dhe vlerat e BE, të cilat nga qeveritë nacional-konservatore në Poloni dhe Hungari vihen në pikëpyetje ose hidhen poshtë.
Në vitin 2022 ka rrezik të shtohen forcat centrifugale në BE pritet. Tani, kur kancelarja e moderuar gjermane, Angela Merkel është larguar nga skena e politikës europiane, mund të vijë puna tek një show-down. Këtë e ka bërë të paktën të ditur kryeministri hungarez, Viktor Orban. “Një gjë është e sigurtë. Era e dykuptimësive, mbulimit dhe hezitimit mori fund me Merkelin. Ne përgatitemi tani për një betejë të hapur”, tha Orban pas ndërrimit të qeverisë në Berlin.
Macron e provon edhe njëherë
Në vitin 2022 sytë e Europës janë të drejtuar nga Franca. Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon të rizgjidhet në prill. Në të njëjtën kohë ai do të jetë edhe president i radhës i presidencës franceze të BE. Macron do të tregojë në fushatën zgjedhore në luftë kundër një fronti të djathtë, se ai e ka ndryshuar Europën siç ka premtuar. Por sidomos në aspektin e politikës së jashtme, Macron kërkon ta bëjë BE një lojtare “sovrane” e strategjike të arenës botërore. Në një “samit strategjik” në pranverë ai kërkon që të bashkojë 26 vendet anëtare për objektiva të përbashkëta në politikën e jashtme kundrejt Kinës, SHBA, Rusisë dhe pjesës tjetër të botës.
Për këtë duhet të shtohet bashkëpunimi në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes. Macron shpreson, që pas Merkelit hezituese të gjejë tek kancelari i ri, Olaf Scholz një aleat për planet e tij. Sprova e parë para Europës “sovrane” mund të nisë që në fillim të 2022-t. Me gjasa presidenti rus, Vladimir Putin kërcënon me pushtim të Ukrainës në janar. Si do të përgjigje BE dhe NATO? Shtetet balltike dhe Polonia kërkojnë prej kohësh më shumë mbrojtje, edhe nga BE.
Drama e vazhdueshme: Migracioni
Mënyra se si duhet të veprohet me migracionin, refugjatët dhe të drejtën e azilit është një mollë sherri e vazhdueshme në BE, kjo u duk jo vetëm në kufirin me Bjellorusinë muajt e fundit, valë migrantësh ka edhe në Kanalin e La Manshit, në Itali, Greqi e itinerarin e Ballkanit. Në vitin 2021 nuk u shënua asnjë progres. A do gjendet një zgjidhje në 2022-n? Mbajtje larg, izolim apo do të pranohen njerëzit dhe të shpërndahen? Këto janë pyetje ende pa përgjigje. Përfaqësuesit e vijës së ashpër të migracionit duan një BE pa të drejtë azili, ashtu si Balazs Orban, një zëvendësministër në Hungari. Sistemi aktual nuk i ndal njerëzit në kufi, është ankuar Orban. Kurse Amnesty International e akuzon BE aktualisht se po i shkel më këmbë të drejtat e njeriut dhe të azilit në kufijtë e saj dhe me politikën e saj i detyron njerëzit të marrin rrugëtimin e rrezikshëm./DW