Dr. Bledar Kurti
Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se e njohin kuptimin e fjalës “art”. Madje mund të pretendojnë se njohin edhe thellësitë e artit. Por, vetë artistët, si ata të mëhershmit ashtu edhe ata të tanishmit, ata të vërtetët si edhe aspirantët, nuk kanë guxuar të japin një përkufizim të saktë mbi artin. Edhe në rastet kur kanë guxuar, janë treguar kursimtarë në fjalë e shpjegime, ose kanë përshkruar vetëm një ndër shumë fytyrat e artit, atë më të pranueshmen për kontekstin historik apo social, por shoqëruar me një drojë fanatike në shpalosjen e natyrës së vërtetë të papërshkrueshme të artit.
Njeriu i zakonshëm e konsideron artin si bukuri, estetikë, imagjinatë dhe mjeshtëri. Por, këto janë atributet më sipërfaqësore të artit, pasi ai apo ajo (sa keq që gjuha shqipe kërkon të ndajë në gjini këtë fjalë të madhe sa një univers) është i bukur e ndërkohë i përçudnuar, është estetikë ndërkohë edhe kaos, është imagjinatë ndërkohë edhe plotësi, është mjeshtëri ndërkohë edhe rëndomësi. Dhe po të shkojmë edhe më tutje e të mendojmë pakëz më thellë, arti është hyjnor ndërkohë edhe profan, është një flamur i bardhë paqe por edhe armë e mprehtë lufte, frymëzues po aq sa edhe trishtues ndaj gjendjes së njeriut, promovues i jetës dhe skrib i vdekjes, rrallë gjithçka e shpeshherë një mosgjë, herë një grimcë kohore e herë burim përjetësie.
“Art” është ndër fjalët e vetme në të gjitha gjuhët e botës që nuk ka një përkufizim të qartë. Kërkoni në fjalorë dhe enciklopedi të ndryshme e do shikoni se si ndryshojnë përkufizimet që ato japin, pasi nuk ka një përkufizim të pranuar gjerësisht mbi këtë fjalë. Dhe kjo ndodh sepse arti është një fjalë pa kufi. Fundja, nuk është për t’u habitur, pasi si mund të mbartet e pafundmja në vetëm një fjalë!
Gjatë gjashtë mijë viteve qytetërim arti e ka shoqëruar njeriun në çdo hap e në çdo frymëmarrje. E gjejmë artin në çdo rrugëtim të njeriut por vetëm gjatë shekullit të 17-të nisi të përdorej si fjalë me konceptin që ne e konsiderojmë sot.
E hasim fjalën “art” rreth vitit 1225, por me kuptimin “art: aftësi si rezultat i të mësuarit ose praktikës”, nga frëngjishtja e vjetër art, nga latinishtja artem me kuptimin “aftësi, zanat.” Në anglishten e vjetër, rreth vitit 1305, zakonisht përdorej si “aftësi në studime dhe mësim.” Kuptimi, “aftësi në artet krijuese” është regjistruar së pari në vitin 1620, dhe arti në lidhje me pikturën, skulpturën, etj., nisi të përdorej rreth vitit 1668.
Fjala “art” nuk gjendet as në Bibël, e as në literaturën klasike, por ne e dimë fare mirë që veprat artistike gjenden si në Librin e Shenjtë ashtu edhe tek veprat e letërsisë së antikitetit, si në Mesopotami ashtu edhe në qytetërimin egjiptian, grek, romak, e të lindjes së largët. Arti dhe artistët kanë qenë gjithmonë ndër njerëzit, veprat që na kanë lënë sot janë dëshmia më e mirë, por njiheshin me emër tjetër. As gjatë periudhës së Rilindjes nuk përdorej “art” dhe “artist”, por kjo nuk do të thotë aspak që Leonardo, Michelangelo, Rafaeli, etj., nuk ishin artistë. Përkundrazi kjo ilustron më së miri natyrën e artit, fytyrat dhe atributet e pafundme që ka, dinamikën dhe ecurinë e pandalshme me kohën.
Ndaj sot, kur flitet për artin, artistëve që e jetojnë atë nuk u lind nevoja që ta përkufizojnë, ashtu siç nuk i lind askujt nevoja të përkufizojë ajrin që thith për të mbushur mushkëritë apo për të furnizuar trurin që të funksionojë, por njerëzit e zakonshëm i drejtohen përkufizimeve të dhëna në fjalorë dhe enciklopedi, ku mund të lexojnë përkufizime të tilla:
Art: Shprehja ose zbatimi i aftësive dhe imagjinatës krijuese njerëzore, zakonisht në një formë vizuale të tillë si piktura ose skulptura, duke prodhuar vepra që duhen vlerësuar kryesisht për bukurinë e tyre ose fuqinë emocionale.
Shumë të tjerë i referohen citimeve të njerëzve të mëdhenj të fushave krijuese:
Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e jetës së përditshme nga shpirtrat tanë. – Pablo Picasso
Pasqyrat e qelqit përdoren për të parë fytyrën; veprat e artit përdoren për të parë shpirtin. – George Bernard Shaw
Nëse nuk përpiqesh të jesh i vërtetë, mos e merr mundimin ta bësh siç duhet. Ky është arti. – Andy Warhol
Një ndërgjegje fajtore duhet të rrëfehet. Një vepër arti është rrëfimi. – Albert Camus
Arti ndjell atë misterin pa të cilin bota nuk do të ekzistonte. -Rene Magritte
Edhe vetë artistët dhe shkrimtarët e shquar dallojnë në shprehitë e tyre për artin. Por, cili prej tyre ka të drejtë? Të gjithë kanë të drejtë. Sepse arti ka shumë fytyra dhe është një pafundësi misteri. Artisti përshkruan vetëm atë pjesëz të misterit që ai ka zbuluar.
Përveç vlerave estetike dhe forcës emocionale, ndër atributet e tjera të artit janë edhe xhelozia, egoizmi, sakrifica, dhe arroganca. Arti është më xhelozi i të gjithë epokave. Arti nuk e ndan artistin me asnjë fushë tjetër, përkundrazi, e tërheq atë bashkë me të gjitha fushat e tjera drejt vetes. Ndaj edhe Leonardo da Vinci iu bind kësaj thirrje duke e nënshtruar shkencën nën egon e artit hijerëndë dhe egoist. Arti kërkon çdo gjë nën sundimin e tij: ditën dhe natën e artistit, të ndërgjegjshmen dhe të pandërgjegjshmen, ndaj edhe i kërkoi Salvador Dali të pikturonte edhe ëndrrat e tij. Arti e thirri Paul Gauguin dhe e drejtoi të braktiste punën, karrierën, dhe familjen për në Tahiti, në anën tjetër të globit. Arti urdhëroi Rembrandt të harronte vuajtjet e tij për shkak të humbjes së jetës së familjes për t’i shërbyer ngjyrave, duke i pëshpëritur në vesh të pikturonte dritën, një dritë e pashoqë e cila mori emrin e tij, duke e vendosur atë në qendër të terrinës së tablosë së tij dhe errësirës ku ai gjendej shpirtërisht. Arti thirri impresionistët dhe ata iu bindën atij kushtrimi, ndaj lanë pas studiot e errëta e u përballën me natyrën dhe me misionin për të pikturuar dritën. Ishte arti ai që mblodhi krijuesit më të shquar të fillim-shekullit të njëzetë të bashkoheshin në Paris e të xhelozoheshin me njëri-tjetrin, por të gjithë të rreshtuar bindshëm në shërbesë ndaj artit.
Sakrificat e artistëve ndër epoka ndaj thirrjes së artit kanë qenë të pashoqe. Ndërsa vetë arti nuk ka bërë asnjë sakrificë për artistët, pasi arti është esenca e ndërlidhjes së njerëzimit. Arti nuk përpiqet, nuk ndryshon, por vetëm është dhe shpaloset me dinamizëm përmes asaj që ne e njohim si kohë. Sa më shumë njihet dhe zbulohet arti prej njerëzve aq më shumë emancipohet shoqëria dhe vëllazëria e mbarë njerëzimit. Dhe kjo është ajo që ne e quajmë progres.
Arti kapërcen çdo fushë të mendimit e krijimit. Përmes artit mund të kesh të gjithë historinë e njerëzimit përpara syve. Ju duket e pamundur? Vizitoni Kupolën Sistine e lundroni sytë me afreskun e Michelangelo. Arti bën që buzëqeshja më sublime e kohërave të të buzëqeshë ty përmes një portreti të një dame me emrin Mona Lisa. Arti të shpalos terrorin e luftës përpara hundës tënde, siç bën tek Guernika e Pablo Picasso. Të ndiesh harenë dhe ngrohtësinë e stinës pranverore edhe në dimër përmes Pranvera e Sandro Botticelli. Arti ngjyros me magji edhe mullarët e barit, ku përmes penelatave të shthurura të Claude Monet drita puthet me kashtën duke krijuar kombinime të mahnitshme ngjyrash. Lulet e vdekura i bën të përjetshme përmes të verdhës së Van Gogh. Ndiejmë vuajtjen dhe bëhemi dëshmitarë të kryqëzimit të Krishtit nga dora e Jacopo Tintoretto. Dëgjojmë lutjen e një apostulli përmes duarve të vizatuara nga Albrecht Dürer. Shikoni nga afër skulpturat e Gian Lorenzo Bernini dhe përjetoni forcën e artit që një mermer të ftohtë e bën të pulsojë gjak, apo veprat e Auguste Rodin sesi një vëllim bronzi mund të marrë frymë. Përmes artit pika shndërrohet në pentagram ngjyrash nga dora e varur porsi re e Jackson Pollock, sesi një femër shkrihet në violinë nga aparati fotografik i Man Ray, dhe një urinare e Marcel Duchamp kthehet në një thirrje për revolucion mendimi.
Kur shohim kryeveprat e artit botëror yshtemi nga gjenialiteti dhe magjia e tyre. Por në fakt, në botë nuk ka njerëz magjikë por vetëm njerëz të cilët të shtyrë nga arti arrijnë të gjejnë shtegun përmes mjegullës e që zbulojnë magjinë që na rrethon të gjithëve, kudo e ngado, e që fshihet thellë brenda nesh.
Dhe sa e errët do ishte natyra e njeriut pa zbulimin e kësaj magjie! Sa e zymtë do ishte vetë historia dhe njerëzimi që e ka shkruar atë pa hijeshinë dhe magjepsjen e artit! Ai manifestohet madhërishëm përmes tablove të shquara por edhe përmes detajeve të rëndomta: përmes veshjes, ngjyrave që përdorim për t’u mbuluar, qasjen estetike ndaj jetës së përditshme e objekteve që prekim çdo ditë apo zgjedhim për dekor.
Arti është streha e të gjithë vdekatarëve, si e atyre të zakonshëm të cilët me verbëri zgjedhin të privohen nga shkëlqimi i artit, ashtu edhe atyre të çliruar nga verbëria njerëzore. Por historia dhe jeta na mëson se janë këta të fundit ata të cilët e shohin dhe e përjetojnë universin e artit, dhe për ta jeta merr një kuptim të ri, dhe bukurinë e gjejnë në çdo grimcë.
Arti e ka shoqëruar njeriun që në hapat e tij të parë. Adami dhe Eva kuptuan se kishin trashëguar nga krijuesi i tyre aftësinë artistike, ndaj këputën gjethe peme dhe mbuluan lakuriqësinë e tyre. Aftësia e tyre krijuese u shpalos aq thjeshtë dhe natyrshëm, dhe shumë e shumë shekuj më vonë do manifestohej nga pasardhësit e tyre më mrekullisht në kryeveprat që kemi deri më sot. Të lashtët i pikturonin kafshët me gjak, gdhendnin në gurë elementë të natyrës, krijonin relieve me bëmat e tyre luftarake, e ndër shekuj mësuan të imitonin format dhe ngjyrat që i rrethonin, si edhe fytyrat e heronjve dhe të dashurve te tyre, deri sa kuptuan që arti kërkonte edhe më shumë: ai urdhëronte që të pikturohej dhe të gdhendej fryma dhe shpirti.
Në fillimet e karrierës sime akademike nisa të spekuloj me përkufizimin e fjalës art, duke i shpjeguar studentëve në formë loje se art është bashkim inicialesh: ART = Alternative Representation of Truth (Shpalosje Alternative e së Vërtetës), por me kalimin e kohës mësova se arti e kishte edhe këtë atribut. E vërteta është brenda dhe përreth gjithsecilit prej nesh, dhe çdo artist e shpalos të vërtetën që ai njeh në mënyra të ndryshme. E vërteta është vetëm një, por ajo na shfaqet në shumë fytyra, kjo për shkak se ne kemi shumë optika mendore, ndaj një shpalosje me kombinacione pa fund krijon vepra arti gjithnjë novatore e të papërsëritura, duke e bërë artin asnjëherë të bezdisshëm por gjithmonë përndezës, eksitues, tërheqës, udhëtar në kohë dhe hapësirë. Kësisoj artistët janë shtegtarë në kërkim të mistereve dhe thesareve të artit, por edhe profetë, pasi sikurse njohin të shkuarën ata përjetojnë edhe të ardhmen, dhe përmes forcës së artit ata i kapërcejnë kufijtë e kohës dhe ligjet e gravitetit.
Të gjithë ne shtegtojmë drejt së ardhmes. E në çdo hap na zbulohen pamje të reja të dijes njerëzore, ashtu siç ndër mijëvjeçarë kemi zbuluar në optikën e perceptimit tonë edhe spektrin e ngjyrave. Sot mund të duket e paimagjinueshme që të mos përdorim fjalët e ngjyrave për të përshkruar çdo objekt që shohim, por e vërteta është se të parët tanë ishin të kufizuar në përdorimin e tyre. Përveç fjalëve për ngjyrat e bardhë, e zezë, e kuqe, jeshile, ngjyrat e tjera nuk përdoreshin, e madje as që ekzistonin. Për shembull, nuk gjendet asnjë përdorim i fjalës “blu” në Greqinë e Lashtë. Fjala “blu” nuk ekzistonte aspak në kohët greke. Te të gjitha tekstet greke nuk haset as edhe një fjalë për “blu”. Për shembull, te Odisea, Homeri bën qindra referenca për të bardhën dhe të zezën, por ngjyrat si e kuqja dhe e verdha përmenden vetëm pak herë. Ngjyra blu nuk përmendet kurrë. Dhe në Dhjatën e Vjetër në Bibël fjala “blu” mungon. Fjala hebraike, tekhelet, u përkthye më vonë si “blu” por akademikët vazhdojnë të debatojnë nëse domethënia e saj ishte vërtetë e tillë. Në evoluimin e gjuhës angleze, fjalët e para të ngjyrave ishin fjalët “e bardhë” dhe “e zezë”. Më pas u shfaq fjala “e kuqe” si ngjyra e verës dhe e gjakut, e ndjekur nga “e verdhë” dhe më pas “e gjelbër.” “Blu” u shfaq e fundit.
Por, a nuk ishin qielli dhe deti blu në ato kohë? Sigurisht që po. Por, kjo tregon zbulesën e artit ndaj optikës sonë mendore. E vërteta është e patjetërsueshme. Mjafton që ne ta kuptojnë atë dhe të arrimë të dallojmë spektrin e nuancave që ajo e vërtetë mbart. Dhe për këtë arti është ndihmesa më madhe që mund të kemi. Falë artit, jo vetëm kemi emrat dhe fjalët për të përshkruar ngjyrat, natyrën, njeriun, emocionet, ëndrrat dhe dëshirat, por falë artit mund të përjetojmë zhgroposjen e imagjinatës sonë, dhe të notojmë e të thellohemi në dije të pafund.
“Kunst” është në gjermanisht fjala për artin. Ajo rrjedh nga gjermanishtja e vjetër kennen (të dish) dhe do të thotë “dije.” Dije për veten, për natyrën, dhe për hyjnoren. Dije për gjithçka.
Ndaj cilido duhet të mësojë mbi artin dhe të udhëtojë përmes veprave më të njohura, të cilat na shpalosin fytyrat dhe misteret e shumta të artit, për të kuptuar që artit nuk i takon të ketë vetëm një përkufizim, pasi nuk ka asnjë fjalë e as një mijë fjalë që mund të përshkruajnë esencën e tij. Lexoni mbi jetën dhe veprat e artistëve, vizitoni galeritë e artit, pasi kështu do njiheni me betejat personale dhe historike të mendjeve më krijuese së kohërave, kontekstin epokal, konfliktet e brendshme dhe të jashtme të njerëzimit, artin si burim dhe vendmbërritje hyjnore, si një pasqyrë midis qiellit dhe tokës, dhe apelin e tij për të shpalosur bukurinë dhe emocionet njerëzore përmes formave të mrekullueshme e të paimagjinueshme, labirinte të mbarë dijes dhe përvojës njerëzore.
Udhëtoni me artin e do mund të kuptoni thirrjen mbi se sa i pafund është universi i artit, dhe se sa shumë ai të prek, të thërret, të ndriçon dhe ndryshon rrënjësisht botën brenda dhe përreth teje.
Arti shkon përtej emocioneve, mendimeve dhe optikës. Arti është ndihmë jetike për frymëmarrjen tonë, për profesionin dhe pasionet tona. Jo vetëm njerëzit me profesione shoqërore, por edhe juristët, ekonomistët, biologët, psikologët, filozofët, matematikanët, inxhinierët, gjeologët dhe mjekët e sotëm mund të gjejnë mbështetje tek arti, ashtu siç kanë gjetur paraardhësit tanë për mijëra vite.
Në botën e sotme njerëzimi është rikthyer dukshëm tek rëndësia e artit për të gjetur harmoninë e brendshme dhe sociale. Tashmë disiplina të ndryshme në universitete dhe institucione edukative, zhvillimore dhe mjekësore e kanë përfshirë artin në kurrikula, programe dhe praktika të ndryshme, pasi forca e artit ndihmon në ecurinë e çdo profesioni për të zhvilluar aftësinë analitike, për të ushqyer qëndrimin racional dhe për të aftësuar në dallimin dhe përbërjen estetike.
Gjatë dekadës së fundit edhe fusha e psikologjisë dhe mjekësisë e kanë ndërthurur artin në praktikat e tyre. Vitet e fundit, psikologët dhe specialistët e shëndetit kanë filluar ta përdorin artin si mjet për të shëruar dëmet emocionale, për të rritur kuptueshmërinë e vetes dhe të tjerëve, për zhvillimin e aftësisë për vetë-reflektim, zvogëlimin e simptomave dhe ndryshimin e sjelljeve dhe modelet e të menduarit. Sot po rikthehet lidhja e fortë ndërmjet artit, shërimit të individit dhe shëndetit publik. Terapia artistike promovon dinjitetin njerëzor dhe përmirëson cilësinë e jetës, si edhe shërben në trajtimin, rehabilitimin, edukimin dhe trajnimin e personave me çrregullime fizike, mendore dhe emocionale. Mjekët po këshillojnë pacientët me sëmundje zemre, me depresion, me probleme frymëmarrje, demencia, etj., të vizitojnë galeritë e artit, pasi rezultatet e përmirësimit kanë provuar se janë të jashtëzakonshme. Madje edhe studentët e mjekësisë nxiten nga shkollat e tyre të ndjekin klasa arti pasi forca e artit është një ndihmë e madhe për reflektimin personal, tolerancën ndaj elementëve me dy apo shumë kuptime, aftësinë për të kuptuar një situatë nga pikëpamje të ndryshme, për t’u identifikuar me dilemat e personit tjetër dhe për të vënë në zbatim mënyra të ndryshme të të menduarit dhe anamezës.
Arti është më shumë sesa kaq. Arti është edhe komunikim. Ka rreth 7111 gjuhë që fliten në mbarë botën. Pavarësisht përdorimit të gjerë të dy a tre gjuhëve ndërkombëtare, sërish kombet e kanë të vështirë të komunikojnë dhe shprehen plotësisht. Që në shekullin e 19-të pati një përpjekje për të krijuar një gjuhë të dytë të përbashkët për të gjithë popujt në mënyrë që të arrihej paqja dhe kuptimi midis kombeve. E njohur si Esperanto, kjo përpjekje utopike dështoi. E vetmja gjuhë që nuk ka dështuar e nuk do dështojë kurrë së qeni gjuha universale, është arti. Përmes artit çdo individ mund të lidhet me një tjetër edhe përtej kontinenteve. Ky atribut është një nga vlerat më të vyera të artit: ai mposht gjeografinë, kombësinë dhe kohën, duke e bërë vëllazërinë njerëzore më të bashkuar se kurrë.
Arti është edhe edukator. Armiku i tij i përbetuar është injoranca. Arti shpalos përpara syve tanë dijen e së kaluarës dhe na prezanton misteret e së ardhmes.
Arti është edhe pasion. Ai është eksplorues i ndjenjave më të thella njerëzore të cilat burojnë nga kthinat më të errëta dhe të panjohura të botës brenda nesh.
Dashuroje edhe ti artin. Shpalose pa frikë aftësinë krijuese që banon në ty. Ji artist. Ji një yll, nëse mundesh, që zbukuron universin e imagjinatës njerëzore duke krijuar vepra dhe kryevepra, ose edhe duke krijuar gjëra sado të vogla, porsi një xixëllonjë që shndrit, qoftë edhe për fare pak në jetën e dikujt tjetër, për një moment të vetëm, por që mund të zgjasë në përjetësi.