Presidenti Ilir Meta ka folur sot në konferencën për shtyp një grup të strukturuar që funksionin në Shqipëri dhe që, sipas tij, bazohet në parimet e ‘deep state’ dhe ‘state capture’.
“Nuk është një kurth i ri, është i hershëm, është një komplot që bazohet jo në parimet e demokracisë dhe as të vlerave të Bashkimit Evropian dhe as të NATO-s, e cila siç tha Sekretari i Përgjithshëm ka në themel demokracinë. Kjo bazohet në parimet e ‘deep state’ dhe ‘state capture’. Ekziston edhe në vendet tjera që vuajnë nga agjendat e nëndheshme dhe janë komplot ndaj demokracisë. Prej kohësh i kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhit dhe mikut tim Doktor, që të jenë të kujdesshëm të mos bien pre e provokime të një grupi të strukturuar PPP dhe d e vogël. Është një grup i strukturuar që punon në Shqipëri”, u shpreh Meta.
Meta tregoi edhe ‘grupin e strukturuar’ që po vepron në Shqipëri: Bazohet në ‘deep state’:
P – Politikanët
P – Propaganda (mediat)
P – Policia jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit.
d – Diplomatët e huaj që kanë braktisur misionet e tyre.
Me pjesëmarrjen e ulët në votimet e 30 qershorit dhe shmangien e dhunës, Meta tha se shqiptarët “evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht përplasjen civile.”
Por çfarë është “Deep State”?
Sipas fjalorit të “Oxford”, “Deep state” do të thotë “një grup njerëzish, kryesisht pjesëtarë me ndikim brenda agjencive qeveritare dhe ushtrisë, që besohet se përfshihen në manipulim të fshehtë ose kontroll të politikave qeveritare”.
Po sipas fjalorit të “Oxford”, termi është një përkthim nga turqishtja i “derin devlet”, përdorur fillimisht në vitet 1990.
Megjithatë, sipas studiuesve të ndryshëm që kanë shkruar mbi këtë term, koncepti bazohet edhe më herët, në rrjetin sekret të ngritur nga Mustafa Qemal Ataturku në Turqinë e viteve 1920.
Një formë e “deep state”, ose “shtetit brenda shtetit” është konsideruar edhe Kisha në Europën e shekullit XVII dhe XVIII, kur diskutohej ndarja e Kishës nga shteti. Raste të “deep state” janë përshkruar shpesh nga historianët për persona dhe agjenci brenda Bashkimit Sovjetik dhe shteteve që u shkëputën nga Federata pas rënies së saj. Në Britaninë e Madhe, disa politikanë kanë përdorur termin për të përshkruar Shërbimin Civil.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Deep State” është një term i përdorur për të përshkruar përplasjet dhe nepotizmin që ekziston brenda një sistemi politike. Termi është përdorur edhe për të përshkruar “një shoqatë hibride të përbërë nga elementë të Qeverisë dhe pjesëtarë të nivelit më të lartë nga bota e industrisë dhe financave që arrijnë të drejtojnë Shtetet e Bashkuara pa u bazuar te vendimi që kanë marrë njerëzit për t’u qeverisur përmes sistemit të tyre politik”. Më së fundmi, pjesëtarë të administratës së Donald Trump kanë akuzuar CIA-n për përpjekje për të penguar Qeverinë në përmbushjen e synimeve politike.
Në Venezuelë, “Karteli i Diejve”, një organizatë e përbërë nga zyrtarë të lartë brenda qeverisë së vendit, është përshkruar shpesh si një prej rrjeteve që punojnë me metoda të fshehta për të mbajtur regjimin e Maduros në këmbë.
Në Italinë fqinje, rasti më i famshëm i asaj që mund të konsiderohet “deep state” është ai i “Propaganda Due”, një lozhë masonike e themeluar në vitin 1877. Në periudhën e drejtuar nga sipërmarrësi Licio Gelli, në vitet 1970 devijoi nga statutet e Masonerisë dhe ndërmori nisma subversive kundër qeverisë dhe rendit në Itali.
State capture apo kapja e shtetit vjen me një koncept edhe më të qartë dhe nënkupton korrupsionin sistematik politik, në të cilin interesat private ndikojnë ndjeshëm në proceset e vendimmarrjes së shtetit në favor të tyre.
Përkufizimi klasik i kapjes së shtetit i referohet mënyrës se si procedurat formale (siç janë ligjet dhe normat shoqërore) dhe burokracia qeveritare manipulohen nga individë dhe firma private në mënyrë që të ndikojnë në politikat dhe ligjet e shtetit në favor të tyre. Kapja e shtetit kërkon të ndikojë në formimin e ligjeve për të mbrojtur dhe promovuar interesat private. Në këtë mënyrë ai dallon nga format e tjera të korrupsionit, të cilat synojnë zbatimin selektiv të ligjeve ekzistuese.
Termi ‘state capture’ është përdorur për herë të parë nga Banka Botërore, rreth viteve 2000, për të përshkruar situatën politike dhe ekonomike në shtetet e Azisë qendrore që ishin futur në procesin e tranzicionit, pas rënies së sistemit komunist