Me anë të një video në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane shkruan se SHBA-të janë të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën.
Në video shpjegohet se çfarë vendimesh merr administrata amerikane kur mëson se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor.
Sipas ligjeve amerikane, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Në video përmenden emrat e Adriatik Llallës, ish-kryeprokuror, deputetit Tom Doshi dhe ish-kreut të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, ne do të shpjegojmë përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Ambasada e SHBA.