Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përpiluar një listë të “viruseve prioritare” që mund të shkaktojnë pandeminë e ardhshme vdekjeprurëse.
Shumica e këtyre sëmundjeve janë tashmë të njohura – Ebola, SARS dhe Zika janë disa nga viruset e listuara. Por OBSH sjell në vëmendje dhe një tjetër rrezik që është i cilësuar në listë si ‘ Sëmundja X’. Termi “Sëmundja X” përdoret nga OBSH si një zëvendësues për të përshkruar një sëmundje që është e panjohur për shkencën mjekësore.
Dhe si një sëmundje e panjohur – pavarësisht nëse është një virus, bakter, kërpudhë ose diçka tjetër – ka shumë të ngjarë që nuk ka vaksina ose trajtime të disponueshme.
“Kjo nuk është lëndë e fantashkencës”, tha epidemiologu i shquar amerikan Dr. Richard Hatchet. “Ky është një skenar për të cilin duhet të përgatitemi. Kjo është sëmundja X”, shtoi ai.
OBSH shpiku termin ‘sëmundja X’ në vitin 2018. “Nuk është ekzagjerim të thuhet se ekziston mundësia që një incident i ‘sëmundjes X’ të jetë afër shfaqjes”, tha Dr. Pranab Chatterjee, një studiues në Departamentin e Shëndetit Ndërkombëtar në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins, në Baltimore.
“Vala e fundit e rasteve të gripit të shpendëve H5N1 në Kamboxhia është vetëm një shembull,” shtoi Chatterjee, sipas New York Post.
Skenarët për origjinën e viruseve “sëmundja X” dhe “zombi”
Epidemiologët besojnë se sëmundja e radhës X do të jetë zoonotike, që do të thotë se do të vijë nga kafshë të egra ose shtëpiake dhe më pas do të përhapet dhe infektojë popullatën. Ebola, HIV/AIDS dhe COVID-19 ishin gjithashtu epidemi zoonotike.
Megjithatë, ka burime të tjera sëmundjesh dhe bioterrorizmi mund të jetë shkaku i pandemisë së ardhshme.
“Lëshimi i viruseve të tilla, qoftë përmes aksidenteve laboratorike ose si një akt bioterrorizmi, mund të çojë në një sëmundje fatale X me një rrezik global,” thonë shkencëtarët.
Një burim tjetër i mundshëm mund të jenë viruset “zombie” që janë bllokuar me shekuj, por që po çlirohen si pasojë e ngrohjes globale.
Cilat viruse të tjera janë në listën e OBSH-së?
Sëmundje të tjera në listën e OBSH-së janë virusi Marburg , ethet hemorragjike Krime-Kongo, ethet Lassa, sëmundjet Nipah dhe henipavirus, ethet e Luginës Rift dhe sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme. Për të parandaluar dhe luftuar një epidemi të mundshme të sëmundjes X, epidemiologët po bëjnë thirrje për rritjen e fondeve për të mbështetur mbikëqyrjen dhe kërkimin e agjentëve të mundshëm pandemikë.