Në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbankën” në Stokholm të Suedisë përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur.
Pas gjashtë ditë tratativash të policisë suedeze me pengmarrësit, kriza u zgjidh kënaqshëm dhe pengjet u liruan të padëmtuar – po të përjashtojmë sjelljen e tyre të çuditshme në ditët, javët dhe muajt pas këtij incidenti.
Viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të grabitësve.
Psikologët që e studiuan këtë reagim në dukje absurd, e quajtën “sindroma e Stokholmit”.
Menjëherë u vu re se kjo sindromë ndeshej rëndom në situata pengmarrjeje, por edhe në situata të tjera ku njëra palë mund të ushtronte lirisht dhunë ekstreme ndaj palës tjetër: në burgje e kampe përqendrimi, në marrëdhëniet midis shfrytëzuesve dhe prostitutave, ose edhe në familje ku burri keqtrajtonte gruan ose fëmijët.
Sipas disa autorëve, sindroma e Stokholmit shfaqet në shumë rrethana të ndryshme:
-Një person kërcënohet se do ta vrasë një person tjetër, dhe duket se është në gjendje që ta bëjë këtë.
-Personi i kërcënuar nuk mund të largohet nga kjo situatë, prandaj e percepton jetën e vet si në duart e abuzuesit.
-Personi i kërcënuar është i izoluar nga mjedisi rrethues, në kuptimin që e vetmja perspektivë që ka lidhet ngushtë me atë të personit kërcënues.
-Personi kërcënues, herë pas here, tregon njëfarë dhemshurie ndaj viktimës.
Sipas disa autorëve, mjaftojnë tre-katër ditë në këtë lloj situate, që viktima të fillojë të ndjejë simpati ose mirëkuptim për xhelatin. Kjo është shpjeguar me adoptimin nga ana e viktimës e një strategjie pothuajse instinktive për të mbijetuar, duke ia bërë qejfin personit që i ka jetën në dorë dhe duke u identifikuar me këndvështrimin e tij ndaj botës. Gjithashtu, në viktimat, frika fillestare nga xhelati shndërrohet gradualisht në mirënjohje, që ky po ua “shpëton” jetën.
Janë bërë shumë studime mbi dëmet psikologjike të dhunës totalitare ndaj të arrestuarve dhe të burgosurve, ose edhe ndaj popullsisë në përgjithësi, që bashkëjetonin me këtë regjim. Është fakt që katër rrethanat e lartpërmendura që gjenerojnë një përgjigje psikologjike të tipit të Sindromës së Stokholmit kanë qenë tipike për jetën nën regjimin policor të diktatorëve dhe kanë ndikuar në masë të madhe në “dashurinë” e popullit për xhelatët totalitarë.