Bota Çfarë fshihet pas interesimit të Donald Trump për Groenlandën?

Çfarë fshihet pas interesimit të Donald Trump për Groenlandën?

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump sipas deklarimit të fundit do që ta inkorporojë me SHBA-në Groenlandën, në rast nevoje edhe me ndihmën ushtarake.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump që pas fitores në zgjedhje ka përsëritur deklaratat, se Groenlanda duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Groenlanda është në pjesën më të madhe e mbuluar nga akulli, ishulli më i madh i botës ka vetëm, rreth 56.000 banorë. Ky territor është i pasur në lëndë të para dhe pozicion të rëndësishëm strategjik në Atlantikun e Veriut. Ai i përket Danimarkës që prej 600 vjetësh, dhe gëzon autonomi të zgjeruar. Deri tani Groenlanda ka hequr dorë nga një pavarësi e plotë.

Çfarë kërkon Trump?

Pak para Krishtlindjes Trump sërish hapi diskutimin për Groenlandën. SHBA-ja është e mendimit, që “në interesin e sigurisë kombëtare dhe të lirisë në botë” është një “domosdoshmëri absolute”, ta posedosh dhe kontrollosh Groenlandën, deklaroi presidenti i ardhshëm. Me këtë republikani i referohet përpjekjes së dështuar të tij gjatë mandatit të parë duke propozuar më 2019 për ta blerë Groenalndën.

Donald Trump Jr. në Nuuk

Djali i tij, Trump Jr. vizitoi (07.01.2025) ishullin, sikurse u komunikua gjatë një udhëtimi privat. Në të njëjtën ditë Trump Senior dha një konferencë shtypi në rezidencën e tij në Florida. Në deklarimin e tij ai nuk përjashtoi as hapat ushtarakë apo imponimin ekonomikisht për të vendosur kontrollin ndaj Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë. “Ky është një deal, që duhet të realizohet”, tha Trump.

Mund ta blejë Trump Groenlandën?

Edhe një herë tjetër një president i SHBA-së ka dashur ta blejë Groenlandën: Harry Truman, pas Luftës së Dytë Botërore, për 100.000 Dollarë. Edhe atëherë qeveria daneze pati refuzuar. Për propozimin e tij për blerjen e ishullit më 2019 Trump mori një refuzim të prerë nga Danimarka dhe Groenlanda. Ngjashëm ishin reagimet edhe aktualisht. “Groenlanda na përket neve. Ne nuk jemi në shitje dhe asnjëherë nuk do të dalim në shitje”, deklaroi kryeministri i ishullit, Mute Egede. Në fjalimin e tij me rastin e vitit të ri megjithatë kryeministri i Groenlandës u shpreh për një pavarësi nga Danimakra.

Ç’mund të ndodhë me një pavarësi të Groenlandës?

Groenlanda që nga viti 1953 është koloni daneze dhe tani është një territor i vetadministruar brenda mbretërisë. Që nga viti 2009 ishulli ka të drejtën të mbajë referendum për shpalljen e pavarësisë. Nëse ndodh kjo, Groenlanda mund të vendosë për një afrim me SHBA-në në formën e një marrëveshjeje asociimi ngjashëm si me ishujt Marshall, Mikronezinë dhe Palaun në Paqësor.

Shumica e banorëve të ishullit ndonëse duan pavarësinë në sfondin e varësisë ekonomike prej Danimarkës dhe BE-së janë skeptikë. Në pranverë në Groenlandë zhvillohen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Pavarësia nga Danimarka është një temë e rëndësishme në fushatën elektorale.

Qyteti bregdetar Ilulissat në fjordin e njohur të akullt në Groenlandë

Çfarë u ofron Trump Groenlandës dhe banorëve të saj?

Trump i premton Groenlandës dhe 56.000 banorëve të saj mbrojtje, ndonëse deri tani ai asnjëherë nuk është shprehur për motivet e dëshirës së tij. Ekonoikisht dhe në aspektin gjeopolitik me këtë do të rritej influenca ndaj rajonit të pasur me lëndë të para. Pikërisht tani me shkrirjen e shtresave të akullit dhe daljen në pah të pasurive nëntokësore edhe Rusia dhe Kina gjithnjë e më shumë po përpiqen me ngulm të ngrenë pretendimet e tyre. SHBA-ja me shtetin federal të Alaskës pranë Árktikut që prej vitit 1951 ka një bazë aviacioni në veri-perëndim të Groenlandës.

Profesori i shkencave politike në Këln, Thomas Jäger në një intervistë për televizionin privat NTV, ka shprehur edhe një tjetër mendim të mundshëm që mund të ketë Trump: “Mund të përfytyrohet, se Trump dëshiron që ta vendosë veten në radhën e presidentëve me traditë, të cilët e kanë zgjeruar dukshëm territorin – në shekullin e 19, SHBA u shtrinë më tej në perëndim dhe pastaj blenë Alaskën. Kjo do ta bënte atë vërtetë një ndër presidentët e mëdhenj.”

Por përse Groenlanda, ishulli më i madh i botës – gjashtë herë më i madh se Gjermania – i përket një vendi të vogël siç është Danimarka? Gjeografikisht ishulli ndodhet qartazi në Amerikën e Veriut, skaji më veri-perëndimor i Groenlandës ndodhet fare pranë brigjeve të Kanadasë.

Danimarka në të kundërt ndodhet më shumë se 3000 km larg Groenlandës dhe midis tyre ndodhen Islanda dhe një pjesë e Norvegjisë. Ka pasur mjaft konflikte, por më në fund danezët fituan dhe përfundimisht Groenlanda e akullt më 1933 i kaloi Danimarkës.

Groenlanda ka qenë dikur e gjelbër

Groenlanda quhet vendi i gjelbër. Sepse edhe nëse sot as që mund të përfytyrohet – pasi 85 përqind e ishullit ndodhet nën një shtresë akulli – dikur në Groenlandë ka qenë shumë më ngrohtë. Studiuesit kanë gjetur gjurmë të ADN-së së pemëve, të fluturave dhe të tjera insekteve. Para 450.000 deri në 900.000 vjetësh Groenlanda ka qenë e mbuluar prej pyjeve të dendur.

Akullnajat në Groenlandë po shkrijnë gjithnjë e më shumë – imazh nga qyteti Inui

Shtresa e akullit, që ka ende një trashësi prej rreth 3800 metra, po pakësohet sepse akullnajat shkrijnë. Përveҁ kësaj bien gjithnjë e më shumë shira, e kjo e intensifikon shkrirjen e akullnajave. Studiuesit kanë llogaritur që niveli i detit në mbarë botën do të rritej më shumë se shtatë metra, në rast se do të shkrihej i gjithë akulli i Groenlandës.

Pak njerëz, aspak rrugë

Sot në Groenlandë janë vetëm brezat bregdetar pa akull të banueshme. Kryesisht në brigjet perëndimore klima fale rrymës së Golfstrimit është më e përshtatshme për jetesë. Këtu ndodhen edhe shumica e fshatrave si dhe kryeqyteti Nuuk. Ai ka 18.000 banorë dhe është qyteti më i madh i Groenandës. Gjithsej në ishull jetojnë 56.000 banorë dhe dendësia e popullsisë është më e ulëta në botë. Vetëm në Artik jetojnë më pak njerëz se në Groenlandë.

Në mbarë ishullin mungojnë rrugët e hekurudhat, që mund të lidhin qytetet dhe fshatrat. Rrugë ka midis qyteteve, por ato përfundojnë në periferi të qytetit. Për të shkuar nga një qytet në tjetrin banorët e Groenlandës përdorin avionë, anije, helikopterë, gomone ose slita me qen.

Me ndryshimin e klimës edhe në Groenlandë mund të ndryshojë diçka. Më pak akull në këtë ishull nënkupton edhe më shumë hapësirë jetese për njerëzit. Shkrirja e akujve çliron lëndë të para të rëndësishme, të cilat janë të mbrojtura: Ndër të tjera naftë, minerale të rralla, gaz natyror dhe uran.

Së shpejti do të nisë gjuetia për elementë të tillë. E presidenti i zgjedhur i SHBA-së si biznesmen ka një nuhatje të fortë për të tilla gjëra./DW