Firmat hungareze janë bërë papritmas lojtarë kryesorë në bankat dhe telekomunikacionin shqiptar.
Me tre blerje të mëdha në pak muaj, vala e shpenzimeve hungareze në Ballkanin Perëndimor ka mbërritur më në fund në Shqipëri.
Që kur Viktor Orban u bë kryeministër në vitin 2010, firmat hungareze – disa prej tyre të lidhura me partinë Fidesz në pushtet të Orbanit dhe duke përfituar shumë nga kontratat fitimprurëse shtetërore – kanë investuar shumë në Slloveni, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci.
Tani ata po vërshojnë edhe drejt Shqipërisë, ku në fund të vitit të kaluar 4iG rrëmbeu ofruesit e dytë dhe të tretë më të mëdhenj të telekomunikacionit në Shqipëri – ONE Telecommunications dhe ALBtelecom – dhe grupi bankar OTP bleu filialin shqiptar të Alpha Bank të Greqisë.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i kompanive të zotëruara pjesërisht ose plotësisht nga kapitali hungarez është më shumë se dyfishuar midis 2016 dhe 2020. Vlera e investimeve hungareze u rrit 37 herë midis fundit të 2018 dhe fundit të 2021, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë të cituara nga e përditshmja shqiptare e biznesit Monitor.al.
Më 4 mars, 4iG njoftoi se kishte përfunduar blerjen nga Cetel Telecom turk të 80.27 për qind të aksioneve të ALBtelecom, duke e transformuar efektivisht tregun e telekomunikacionit fiks dhe celular të Shqipërisë në një duopol midis 4iG dhe Vodafone.
Shumica e aksioneve të 4iG, i cili ofron shërbime IT, përfshirë menaxhimin e pajisjeve dhe sistemeve në Hungari, është në pronësi të aleatit të Orban, Gellert Jaszai, i cili ia bleu ato manjatit hungarez dhe mikut të fëmijërisë Orban, Lorinc Meszaros, në 2019.
Nën Meszaros, kompania shënoi rritje të shpejtë të të ardhurave në kurriz të një sërë kontratash shtetërore; vlera e saj e tregut është rritur pothuajse 25 herë që kur Jaszai mori drejtimin, sipas Bloomberg, përsëri kryesisht falë projekteve shtetërore. I përjashtuar nga rregullat kombëtare të konkurrencës për “shkrirjet strategjike” që konsiderohen të një rëndësie kombëtare, 4iG ka rrëmbyer kompani në një sërë sektorësh, nga Inteligjenca Artificiale deri tek Blockchain.
Peter Krasztev, një profesor i asociuar në Shkollën private të Biznesit të Budapestit, BBS, tha se firmat hungareze kishin zakon të hynin në tregje ku kompanitë perëndimore hezitojnë të investojnë “për shkak të klimës specifike të korrupsionit, marrëdhënieve fisnore, mbizotërimit politik”.
Por, shtoi ai, “çdo zgjerim ndërkombëtar i kompanive hungareze është disi i lidhur me klanin Orban”.
Shqipëria një shënjestër “logjike” për investimet hungareze
Në qershor të vitit të kaluar, pasi fitoi një mandat të tretë të paprecedentë, kryeministri Edi Rama vizitoi Hungarinë në krye të një delegacioni që përfshinte katër ministra kabineti dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Pesë muaj më vonë, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi ekonomik, njësoj si dhe dhomat e tyre të tregtisë dhe industrisë, me synimin për të rritur investimet hungareze në Shqipëri.
Blerjet e 4iG ishin tashmë në punë e sipër, ndërsa në dhjetor OTP, banka më e madhe tregtare e Hungarisë, pagoi 55 milionë euro për filialin shqiptar të Alpha Bank të Greqisë. Përveç blerjes së Societe Generale Albania në vitin 2018, pjesa e tregut e bazuar në asete e OTP tani do të arrijë në rreth 11 për qind.
Duke përshëndetur marrëdhëniet në rritje të investimeve, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, tha se OTP do të shërbejë si “një urë lidhëse midis Hungarisë dhe Shqipërisë, duke u mundësuar bizneseve hungareze të gjejnë terrenin më të përshtatshëm për investimet e tyre në Shqipëri”.
“Kompanitë hungareze e shohin padyshim praninë e OTP Bank në Shqipëri si një çështje besueshmërie”, tha Jaka për BIRN.
Elvin Meka, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës, tha se blerjet e fundit hungareze në Shqipëri pasqyronin ambicien “realiste dhe pragmatike” të firmave për t’u zgjeruar ndërkombëtarisht dhe rajonalisht.
Duke pasur parasysh mungesën e interesit nga vendet më të mëdha dhe më të zhvilluara evropiane, tha ai, është e natyrshme që firma nga vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Evropian “të kërkojnë të hyjnë dhe të zgjerohen në tregun shqiptar”. Tregu i Ballkanit Perëndimor është një vend më i lehtë për të konkurruar.
“Këto biznese e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë drejtpërdrejt në vendet e mëdha të BE-së dhe për rrjedhojë e vetmja mundësi e tyre për zgjerim të shpejtë dhe krijimin e ekonomive funksionale të shkallës do të jenë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe logjikisht Shqipëria”, tha Meka.
Lidhjet politike përkthehen në investime
Hungarezët do të zhvillojnë zgjedhjet parlamentare në prill dhe partia Fidesz e Orbanit parashikohet të fitojë një mandat tjetër në qeveri, pavarësisht presionit nga një bllok i bashkuar opozitar.
Mbështetësi i vetëshpallur i “demokracisë joliberale” ka krijuar aleanca me liderë me të njëjtin mendim në të gjithë rajonin, nga Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Janez Jansa i Sllovenisë deri te ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, i cili në 2018 u arratis për t’i shpëtuar dënimit me burg dhe mori azil në Hungari.
Dhe aty ku lidhjet politike janë të ngrohta, sigurisht që vijnë edhe investimet hungareze.
“Aty ku liderët autoritarë dhe mbështetësit e Orbanit janë në pushtet, hyn menjëherë në skenë biznesi hungarez”, tha Krasztev, i cili citoi gjithashtu shembullin e Bullgarisë kur Boyko Borissov ishte kryeministër.
Një diplomat hungarez me përvojë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për BIRN: “Orban kohët e fundit ka investuar shumë, jo vetëm si Hungari, por përmes një biznesmeni privat shumë afër tij, le të themi. Nga Sllovenia në Serbi, Maqedoniae Veriut, Bosnje dhe Kroacia, ata po investojnë shumë para.”
Diplomati i përshkroi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Hungarisë nën udhëheqjen e Vuçiç dhe Orban si “shumë, shumë të mira” dhe tha se Orban kishte gjithashtu “kimi të mirë” me Jansën dhe liderin serb të Bosnjës Milorad Dodik. Po Rama i Shqipërisë?
“Marrëdhëniet midis Orbanit dhe Ramës janë krejtësisht ndryshe”, tha ai. “Është diçka e ngjashme me Budapestin dhe Zagrebin, ju e dini që ata kanë interesa të përbashkëta, por mes tyre nuk ka dashuri.”
Një shpenzim i tillë në rajon blen ndikimin e Orbanit, tha diplomati për BIRN.
Por ndërsa investimi nga kompani si 4iG ose kompani të tjera afër Orbanit mund të jetë ad hoc, “me Csanyi dhe OTP është tjetër histori”, tha ai, duke iu referuar kryetarit dhe shefit ekzekutiv të OTP, Sandor Csanyi. “Është një strategji afatgjatë.”
Në mes të shkurtit, OTP Group tha për Monitor.al se prania e saj ka të ngjarë të inkurajojë firmat hungareze të bëjnë më shumë biznes në Shqipëri, me OTP-në që vepron si partnere në financimin dhe konsulencën e biznesit. Banka tha se kishte identifikuar mundësi investimi në infrastrukturë, bujqësi, ushqim dhe turizëm.
Csanyi nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment./BIRN