Kosova Çfarë gjeti Policia e Kosovës në shtëpitë e dy të dyshuarve për...

Çfarë gjeti Policia e Kosovës në shtëpitë e dy të dyshuarve për spiunë te BIA-s serbe

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë bastisur shtëpitë e dy të arrestuarve.

Gjatë kontrollit në vendndodhjen e dy të dyshuarve, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, maska gazi ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

NGJARJA

Dje, pas një operacion hetimor disamuajsh ka rezultuar me arrestimin e dy agjentëve të dyshuar të shërbimit sekret serb në Ferizaj.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe zyrtarët e saj, të cilët kanë qenë truri i operacionit, kanë arritur pastaj me prova ta bindin Prokurorinë dhe Policinë që të ndërmarrë masa. Por kush janë dy të arrestuarit që dyshohen se punuan për llogari të Shërbimit Sekret Serb, BIA?

Sipas burimeve, bëhet fjalë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin.

Bedri Shabani ka punuar si doganier gjatë viteve të 90-ta, pra gjatë periudhës së Millosheviçit, kurse Muharrem Qerimi ka punuar si zyrtar i Policisë së Kosovës, deri pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Bashkëpunëtori i hershëm i Shërbimit Sekret Serb (BIA) që nga vitet e ’90-ta, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.

Të ndaluarit, sipas burimit, janë përcjellë me vite nga institucionet e sigurisë. Po ashtu, ky burim bën të ditur se të ndaluarit i kanë raportuar një oficeri të Shërbimit Sekret Serb me emrin Srdjan Rosiç.