Autoritetet policore vijojnë punën për të zbardhur rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, 49-vjeçarit i cili u mor peng më 17 Janar në Kamëz dhe vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhuna e ushtruar nga autorët. Teksa në pranga për këtë ngjarje kanë përfunduar 5 persona dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim, policia ka vijuar me kontrolle. Këtë herë në qytetin e Shkodrës.
Pikërisht në kontrollet që autoritetet kanë kryer në këtë qytet dhe rrethinat e tij, mësohet se kanë siguruar prova të vlefshme për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
“Në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, mëngjesin sotëm janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes. Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijon veprimet për sigurimin e çdo prove të vlefshme që i shërben ngjarjes, si dhe për kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje”, thuhet në një njoftim të policisë këtë të enjte.
Prej ditësh tashmë autoritetet vijojnë punën edhe për gjetjen e trupit të Jan Prengës. Policia thotë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një përplasje që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.