Aktualitet Çfarë gjeti policia në banesën me qira të ish-efektivit të RENEA-s

Çfarë gjeti policia në banesën me qira të ish-efektivit të RENEA-s

Remal Radës, ish-efektivit që u arrestua ditën e djeshme së bashku me shokun e tij Elton Hithi, i janë gjetur të tjera armë dhe municione të ndryshme.

Policia e Tiranës ka njoftuar ditën e sotme se në një banesë të marrë me qira nga ana e Radës në zonën “Selitë e Vjetër”, është gjetur 1 pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera.

39-vjeçari Rada u arrestua mbrëmjen e së dielës në afërsi të Saukut. Në kontrollet në makinën e tij, policia gjeti snajper, një armë zjarri, një silenciator, mjet identifikues të policisë, disa targa të huaja dhe pulti për hapjen dhe mbylljen e tyre.

Rada prej pak muajsh ishte larguar nga radhët e policisë ku mbante dhe gradën inspektor. Në fund të karrierës së tij si efektiv ai ushtroi detyrën e polumbarit pranë repartit të RENEA-s.