Kryesore Çfarë janë armët kimike dhe biologjike dhe a do t’i përdorë Putin...

Çfarë janë armët kimike dhe biologjike dhe a do t’i përdorë Putin në Ukrainë?

Nga Frank Gardner – Korrespondent i BBC mbi Sigurinë 

Çfarë janë armët kimike

Çdo municion që mbart toksina ose substanca kimike që sulmojnë sistemet e trupit është armë kimike. Ekzistojnë lloje dhe kategori të shumta armësh kimike. Agjentët që shkaktojnë asfiksi, si fosgjeni, sulmojnë mushkëritë dhe sistemin e frymëmarrjes. Agjentët flluskë (vezikantët), si gazi mustardë, djegin lëkurën dhe verbojnë. Ndërsa agjentët nervorë shkatërrojnë mekanizmin përmes së cilit truri i përcjell mesazhe komanduese muskujve të trupit. Vetëm një pikë e vogël e tyre mund të rezultojë fatale.

Të gjithë këta të ashtuquajturit agjentë kimikë mund të përdoren në luftë duke u lëshuar me predha artilerie, bomba dhe raketa, ndonëse të gjitha janë rreptësisht të ndaluara nga Konventa për Armët Kimike (1993).

Ato janë përdorur në luftë në të kaluarën: në Luftën e Parë Botërore, në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet 1980, dhe, së fundmi, nga qeveria siriane kundër forcave rebele atje. Agjenti nervor “Novichok” u përdor nga Rusia për të helmuar Sergei Skripal dhe vajzën e tij në Salisbury në vitin 2018. Por autoritet ruse e mohuan këtë.

Kohët e fundit, Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka zhvilluar armë të tilla në laboratorë sekretë. Autoritet ukrainase janë përgjigjur duke thënë se kjo është qesharake dhe se vendi nuk posedon as armë kimike as biologjike. Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë mes vendeve që kanë nënshkruar Konventën për Armët Kimike.

Pentagoni ndjehet i shqetësuar se duke akuzuar Ukrainën për armë kimike dhe për planifikimin e një sulmi me to, Rusia mund të jetë duke stisur një situatë të paqenë për ta përdorur si justifikim që të ndërmarrë vetë një sulm me armë kimike.

Nga ana tjetër, dihet se, në një luftë të zgjatur ku forcat sulmuese përpiqen të thyejnë vullnetin e forcave mbrojtëse, fatkeqësisht, armët kimike janë një mënyrë shumë efikase për ta arritur këtë. Është pikërisht ajo që autoritetet siriane bënë Halep.

Por armët biologjike?

Armët biologjike janë të ndryshme prej armëve kimike. “Armë biologjike” është fraza që përdoret për t’iu referuar shndërrimit të një patogjeni të rrezikshëm, si Ebola, në armë.

Rusia ka akuzuar Ukrainën se bashkëpunon me SHBA-në mbi armët biologjike. Një nga arsyet është se Ukraina, si shumë vende të botës, ka zhvilluar kërkime mbi Covid-in dhe patogjenë të tjerë, për të gjetur mënyra për mbrojtjen e popullsisë kundër tyre.

Ukraina ka mohuar çdo akuzë për zhvillimin e armëve biologjike. Por problemi është se ekziston një mungesë ndarjeje të qartë midis punës kërkimore mbi mënyrat për të mbrojtur popullin nga patogjenët e dëmshëm dhe kërkimeve sekrete se si këto patogjene mund të përdoren si armë. Rusia nuk ka arritur të japë asnjë provë konkrete për përfshirjen e Ukrainës në kërkime të tilla.

Si pjesë e Bashkimit Sovjetik, Rusia kontrollonte një program shumëpërfshirës të armëve biologjike, i cili drejtohej nga një agjenci e quajtur “Biopreparat”. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, diku në vitet ’90, shkencëtarët ndërmorën çmontimin e tij. Ata zbuluan se sovjetikët kishin kthyer në armë dhe prodhuar në masë antraksin, linë e keqe (variola) dhe sëmundje të tjera, pasi i kishin eksperimentuar në majmunë të gjallë në Rusinë jugore. Ata, madje kishin vendosur spore antraksi në kokat e raketave ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, që do shënjestronin qytetet perëndimore.