SPAK po zhvillon hetime të thelluara në bazë të të dhënave të ardhura nga EUROPOL për të identifikuar punonjësit e policisë që kanë patur kontakte me botën e krimit përmes aplikacioneve të komunikimit Sky dhe Encrochat.
Lajmin e dha vetë ministri i brendshëm, Taulant Balla gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Europiane.
Sipas tij, çdo efektiv që do rezultojë përdorues i këtyre platformave tashmë të zbërthyera nga autoritetet ndërkombëtare do të marrë ndëshkimin e menjëhershëm.
Por çfarë janë telefonat Encro
EncroChat ishte një shërbim telefonik i koduar që përdorej gjerësisht nga rrjetet kriminale. Një telefon Encro kushtonte rreth 1 mijë euro për sa kohë që shërbimi ishte ende funksional. Për 1 mijë e 500 euro mund të paguhej funksionimi i telefonit për 6 muaj në të gjithë botën.
Serverat e EncroChat ishin të vendosur në Francë dhe u zbuluan nga policia franceze në vitin 2016, duke zbuluar qindra milion mesazhe.
EncroChat ishte një nga shërbimet më të mëdha të komunikimit të koduar në botë dhe vlerësohet të ketë pasur 60,000 përdorues në të gjithë Evropën. Nga një njoftim i Eurojust, deri në vitin e shkuar ishin regjistruar rreth 6 mijë e 558 arrestime në të gjithë botën.
Encrochat ofroi një rrjet të sigurt komunikimi. Përdoruesve iu jepej një pajisje celulare e modifikuar posaçërisht e quajtur EncroPhone, e cila nuk mund të përdorej për të bërë thirrje telefonike zanore. Telefoni vinte i gatshëm, ku ishin ngarkuar paraprakisht aplikacione të mesazheve private, të cilat mund të dërgonin mesazhe me tekst dhe foto tek përdoruesit e tjerë të Encrochat.
Pajisjet përmbanin mekanizma të tjerë sigurie, të tilla si ajo që lejonte fshirjen e të dhënave të telefonit nga distanca. Të dhënat e telefonit bllokoheshin, nëse një kod kalimi 15-shifror nuk ishte futur saktë. Celularët funksiononin nëpërmjet sinjalit ëi-Fi, në vend të rrjeteve të telefonisë celulare. Veçori të tilla si kamera, mikrofoni dhe GPS ishin të çaktivizuara për siguri të shtuar.
Këto masa sigurie e bënë telefonin Encro shumë popullor në mesin e personazheve të famshëm, njerëzve të pasur dhe bandave të krimit të organizuar, të cilët vlerësonin sekretin dhe anonimitetin që ofronte platforma.
Kriminelët ndiheshin mjaft të sigurt për të biseduar lirshëm për gjithçka: emrat e klientëve, dërgesat e drogës dhe madje edhe atentatet. Dhe besimi i tyre ishte i kuptueshëm, duke pasur parasysh atë që EncroChat kishte për të ofruar:
Telefonat kishin një buton “fshiji të gjitha” që do të fshinte të gjitha bisedat e ruajtura në rast arrestimi ose urgjence tjetër. Asnjë mesazh nuk ruhej në serverët qendrorë, kështu që ato nuk mund të kapeshin dhe deshifroheshin më vonë.
Përdoruesit e EncroChat paguanin mijëra dollarë në vit, për të përdorur këtë shërbim. Një vlerësim nga policia franceze tregoi se 90% e përdoruesve të EncroChat ishin të përfshirë në aktivitet kriminal.
Në fillim të qershorit 2020, përdoruesit e Encrochat morën një mesazh me tekst duke thënë se të dhënat e tyre nuk ishin më të sigurta. Përdoruesit u këshilluan që të hidhnin menjëherë EncroPhone-in e tyre. Mesazhi thoshte se serverët e tyre ishin sekuestruar nga “entitetet qeveritare”. Encrochat më pas mori vendimin për të ndërprerë operacionet përgjithmonë.
Sistemi i mesazheve të koduara erdhi për herë të parë në vëmendjen e Xhandarmërisë Franceze në vitin 2017, pasi telefonat Encro zbuloheshin vazhdimisht në posedim të të arrestuarve.
Ata zbuluan se EncroChat funksiononte nga serverë me bazë në Francë dhe arritën “të vendosnin një pajisje teknike” që i lejonte të hynin në mesazhet e koduara të dërguara përmes rrjetit të kompanisë. Hetuesit ishin në gjendje të vendosnin pajisjen dhe të regjistronin të gjitha bisedat për muaj të tërë në kohë reale.
Çfarë është SKY ECC
Sky ECC ishte një aplikacion i sigurt mesazhesh, dikur i vlerësuar nga baronët e krimit të drogës, por që u dekriptua nga policia franceze në vitin 2021. SKY ECC u dekriptua në Francë pasi ky ishte ishte shteti ku ishin vendosur serverat e aplikacionit.
Hetuesit në Belgjikë, Francë dhe Holandë kanë shqyrtuar një gamë të madhe mesazhesh të dërguara mes bandave të fshehta të kontrabandës së drogës dhe filluan arrestimet në fund të vitit të kaluar.
“Ishte sikur ishim ulur në tavolinë me kriminelët”, tha Catherine De Bolle, drejtoreshë ekzekutive e Europol, agjencia e koordinimit të policisë së BE-së, për France24.
Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, detektivët në të dy anët e kufirit bien dakord se hetimi i Sky ECC shënoi një pikë kthese në luftën kundër bandave të drogës.
Eric Snoeck, drejtor i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, i tha AFP se autoritetet kanë në dorë më shumë se një miliard mesazhe Sky ECC.
“Është një punë që është në vazhdim dhe do të duhen vite për t’u përfunduar”, u shpreh ai.
Shumica e figurave të larta të krimit, që u arrestuan vitin e kaluar jetonin në Dubai. Ballkani Perëndimor ka qenë një pikë e nxehtë për bandat. Pas anglishtes, gjuha më e zakonshme e përdorur në Sky ECC ishte shqipja, zbuluan hetuesit.