Jeniçerë quheshin ushtarët këmbësorë me pagesë në ushtrinë osmane; ata formonin një korpus më vete që përbënte pjesën më të rëndësishme dhe më të zgjedhur të gardës së sulltanëve.
Korpusi i jeniçerëve u krijua nga fundi i shekullit XIV.
Radhët e tyre mbusheshin me djemtë e zënë rob gjatë luftërave ose të grumbulluar në bazë të “taksës së gjakut”.
Korpusi i jeniçerëve luajti një rol të rëndësishëm, si ushtri e organizuar mirë, për zgjerimin e Perandorisë në fushatat pushtuese në vendet e ndryshme.
Jeniçerët dërgoheshin në shërbim edhe për ruajtjen e kalave në viset kufitare; të tillë kishte edhe në trevat shqiptare qysh në shek. XVI.
Atyre u jepeshin në zotërim timare të rëndësishme.
Jeniçerët luajtën një rol të rëndësishëm edhe në jetën politike. Komandanti i tyre ishte një nga funksionarët më të rëndësishëm të shtetit.
Në fillim të shek. XIX, me zbatimin e reformave centralizuese edhe në ushtri, korpusi i jeniçerëve u shpërnda me dhunë (1826).