Papa Françesku dënoi “dezinformatat e pabazuara ideologjike” në lidhje me vaksinat e koronavirusit, duke mbështetur fushatat kombëtare të vaksinimit. Papa mbajti fjalimin e tij vjetor para më shumë se 200 diplomatëve të akredituar në Vatikan.
“Ne shohim se në ato vende ku është zhvilluar një fushatë efektive vaksinimi, janë reduktuar rreziqet e pasojave të rënda të sëmundjes”, tha Papa, duke shtuar: “Prandaj, është e rëndësishme të vazhdohet me imunizimin e popullatës së përgjithshme sa më shumë që të jetë e mundur”.
Papa, i cili i kushtoi pesë nga gjashtë faqet e fjalimit të gjatë pandemisë, tha se “shpesh njerëzit e lejojnë veten të ndikohen nga ideologjia e momentit“. Ndaj, ai paralajmëroi ndërhyrjen e ideologjisë në fushatën e vaksinimit.
“Fatkeqësisht, ne shohim se jemi gjithnjë e më shumë në një botë me ndarje të forta ideologjike. Shpesh njerëzit e lejojnë veten të ndikohen nga ideologjia e momentit, të përforcuar nga informacione të pabazuara ose fakte të vërtetuara dobët. Vaksinat nuk janë një kurë magjike, por ato sigurisht përfaqësojnë, ndër medikamentet e tjera, opsionin më të arsyeshëm për të ndaluar sëmundjen”, shtoi Papa.
Kreu i Kishës Katolike tha se ishte plotësisht i vaksinuar dhe në fjalimin e tij ai bëri thirrje për një shpërndarje më të drejtë të vaksinave për kombet më të varfra, si dhe për të hequr dorë nga rregullat monopoliste në lidhje me patentat për vaksinat për të mirën e përgjithshme.