Historia e Sametit që lypte në rrugë dhe u shfrytëzua nga bandat kriminale
Samet Meta është një nga qindra të rinjtë shqiptarë që emigrojnë drejt Britanisë së Madhe për një jetë më të mirë. Të shtyrë nga kushtet e vështira ekonomike, por dhe faktorë të tjerë, ata detyrohen të largohen drejt vendit ishullor në mënyra nga më të ndryshmet, por edhe të rrezikshme.
Samet Meta jeton sot në Angli. Historia e jetës së tij ka qenë traumatike. Babai e dhunonte që në moshë të vogël. Kur ishte 11 vjeç, i ati e detyronte të lypte në rrugë. Kur mbushi 15 vjeç, u trafikua në Britani nga bandat shqiptare dhe u shfrytëzua për punë nga kontrabandistët, që sot njihet si “skllavëria moderne”. Tre vite më parë, Sameti mbërriti me kamion në qytetin e Bristol. Sot është 18 vjeç dhe përballet me dëbimin për në Shqipëri.
Jeta e tij ndryshoi kur arriti t’u shpëtonte kontrabandistëve, të cilët e detyronin të punonte për të shlyer pagesën e rrugës nga Shqipëria në Britani. Ai gjeti një strehë të sigurtë, një familje kujdestare që i ofron atij dashurinë e munguar dhe kujdesin e nevojshëm. Vitet e tij të errëta i ka hedhur prapa krahëve, falë kësaj familje që i ka hapur derën e shtëpisë.
Por jo të gjithë të rinjtë shqiptarë janë me kaq fat. Shumë prej tyre janë arrestuar pasi janë kapur në trafik droge apo dhe janë përfshirë në vepra të tjera penale.
Endrit Vishaj, sot 18 vjeç, hyri ilegalisht në Britani të Madhe kur ishte 16 vjeç. Ai vuan dënimin me 4 vite burg për drogë.
Klevis Drazhi 20 vjeç u kap në Londër me 11 doza kokainë dhe u dënua me 18 muaj burgim.
Alfred Hamzaj 22 vjeç u dënua me 8 muaj burgim pasi u kap me 4 kg kanabis.