Presidenti Ilir Meta pati një prononcim të shkurtër për gazetarët këtë të shtunë ku u pyet se nëse do të vazhdojë bashkëpunimin me mazhorancën nëse kjo e fundit fiton zgjedhjet më 25 Prill.
Meta u shpreh se 25 Prilli do të jetë një referendum i popullit dhe siguroi se do të jetë i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë.
“Besoj se kam qenë dhe jam i qartë se 25 Prilli do të jetë referendum i qartë i popullit për të ardhmen europiane. Jam besimplotë për këtë gjë dhe do të vazhdoj të jem i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë. Treni i integrimit është nisur, mjerë ai që i del përpara sepse nuk ndalet më jo më 25 Prill, por as pas 25 Prillit”, tha Meta.
Deklaratat e Fatos Nanos, Meta: Zero koment për çështje që nuk ekzistojnë
Meta nuk ka komentuar deklaratat e ish-kryeministrit Fatos Nano që i bëri gjatë që bëri gjatë një interviste të rrallë në emisionin “Opinion”. Kreu i shtetit tha se nuk ka asnjë koment për çështje që sipas tij nuk ekzistojnë.
“Zero koment për çështje të cilat nuk ekzistojnë, problem kryesor mbetet sot përballimi i pandemisë dhe mbështetje e gjithë personelit shëndetësor për përballimin e fluksit të të infektuarve”, tha Meta.
Ish-kryeministri Fatos Nano tha gjatë intervistës për Blendi Fevziun se Presidenti aktual është politikani ku ai shikon shtatë mëkatet e Biblës si zilia, grykësia etj.