Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO është tema kryesore në samitin që po mbahet në Vilnius, Lituani (11 dhe 12 korrik).
Aleanca tha në 2008 se Ukraina mund të anëtarësohej në një datë të ardhshme, por kohët e fundit refuzoi kërkesën e saj për anëtarësim “të shpejtë”.
Pika e bllokimit vjen në nenin 5 të kartës së NATO-s, i cili thotë se nëse një anëtar sulmohet, të gjithë të tjerët duhet t’i dalin në mbrojtje.
Nëse Ukraina do të bashkohej tani, vendet e NATO-s teknikisht do të duhej t’i shpallin luftë Rusisë. Kievi ka pranuar se nuk mund të bashkohet gjatë konfliktit, por dëshiron të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur më pas.
Ndërkohë, këtë të martë, Presidenti Volodymyr Zelensky e konsideroi absurd faktin se ende nuk ka një afat kohor mbi anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës. Duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të aleancës”, tha Zelensky.