Drejtori i Klan Kosovës Baton Haxhiu ka komentuar mbrëmjen e së hënës nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan darkën e mbrëmshme të kryeministrit Edi Rama me liderët e Kosovës në shtëpinë e Presidnetit Thaçi.
Darka, në të cilën merrnin pjesë edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Kryeparlamentari Kadri Veseli, zv/Kryeministrat Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli, sipas Haxhiut ishte “një akull i shkrirë mes Kryeministrit dhe Presidentit”.
“Darka e mbrëmshme është një akull i shkrirë mes kryeministrit dhe Presidentit. Një mendjehapje e Kryeministrit shqiptar për renditje të problemeve, një fjalim direkt, shumë direkt i zotit Veseli, e sidomos duke sqaruar marrëdhëniet e Kryeministrit dhe Presidentit. Dhe natyrisht një mirësi e Fatmir Limajt në krejt këtë hapësirë. Kjo darkë mund të themi me pak fjalë se duket kështu”, tha Haxhiu.
Baton Haxhiu: Ma shumë një marrëdhënie për të ndërtuar një mirësi në politikë mes liderëve në Kosovë, të cilët për momentin…
Blendi Fevziu: Pra, Rama thua ti po luan një rol për të paqëtuar tensionet me liderëve politikë të Kosovës.
Baton Haxhiu: Jo, për të treguar rëndësinë e momentit dhe për të lënë përplasjet publike, të cilat shumë herë kanë qenë të panevojshme dhe realisht për të ulur në tavolinë dhe për të sqaruar dhe për të bashkërenduar atë që do të ndodhë muajt e ardhshëm.
Blendi Fevziu: Haxhiu, a po diskutohet ende çështja e shkëmbimit, pra e marrëveshjes Kosovë-Serbi në atë variant që diskutohet? Pra të një zgjidhjeje përfundimtare në Kosovë, apo është projekt i mbyllur?
Baton Haxhiu: Kjo është një temë shumë e rrezikshme për tu thënë me një fjali. Është një temë shumë delikate për tu sqaruar. Tema e korrigjimit është e hapur, ashtu sikurse është e hapur edhe dështimi i kësaj teme.