Ishte data 22 maj 2021 kur Zinedine Zidane u ul për herë të fundit në stolin e Real Madridit, në një ndeshje të fituar me përmbysje nga Merengues kundër Villarreal. Rrugët e trajnerit francez dhe klubit madrilen u ndanë pak kohë më vonë, por askush nuk do ta kishte menduar se pas më shumë se 3 vitesh, Zizou do të mbetej ende pa ekip.
Por çfarë ndodhi me ish-numrin 10 të Kombëtares Franceze?
Shumë vetë e pyesin këtë, por pak e dinë përgjigjen e saktë. Gazeta spanjolle Marca është përpjekur të hedhë dritë mbi rastin, duke e quajtur atë “historia e një trajneri të suksesshëm që nuk ka shkelur në stol për më shumë se tre vjet, sikur të kishte hequr dorë në heshtje nga një profesion në të cilin arriti përsosmërinë me Real Madridin”.
Trajneri francez drejtoi Real Madridin në dy periudha të ndryshme: nga janari 2016 deri në qershor 2018 fillimisht, dhe më pas nga marsi 2019 deri në qershor 2021. Gjatë këtyre 5 viteve me Merengues, ai fitoi njëmbëdhjetë trofe: 2 kampionate spanjolle (2017, 2020), 2 Superkupa të Spanjës (2017, 2020), 3 Champions League (2016, 2017, 2018), 2 Superkupa Evropiane (2016, 2017) dhe 2 Kupa të Botës për Klube (2016, 2017). “Një CV spektakolare që deri pak kohë më parë e bënte atë trajnerin e dytë më të suksesshëm në historinë e Real Madridit,” shkruan Marca. “Tri Champions League radhazi janë histori e futbollit. Por Zizou ka zhdukur dhe jo për mungesë ofertash”.
Oferta që, sipas gazetës spanjolle, nuk kanë munguar, madje nga klube prestigjioze: “Manchester United, Juventus, PSG dhe Bayern i kanë trokitur disa herë në derë vitet e fundit, ashtu si edhe disa nga ekipet më të mira në botë. Por Zidane gjithmonë përgjigjet njësoj: jo, faleminderit”. Aktualisht, Zidane jeton në Madrid dhe herë pas here udhëton në Francë, në Paris ose pranë Marsejës.
A ka hequr dorë nga trajnimi?
Sipas Marca, jo, por Zidane do të rikthehej në stol vetëm për Real Madridin ose Kombëtaren Franceze: “Vetëm një projekt vërtet inovativ mund ta bëjë atë të rishikojë qëndrimin e tij, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Theksojmë: Bayern, Manchester United dhe Juventus, ndër shumë të tjerë, i kanë trokitur në derë dhe ai i ka refuzuar të gjitha. Zidane, që ka rikuperuar marrëdhëniet e mira me Florentino Perez, është i vetëdijshëm se stoli i Real Madridit është i pamundur. Nuk e mendon më. Edhe me Francën nuk ka risi, pasi Deschamps ka rinovuar deri në Kupën e Botës 2026. Kështu që Zidane po e merr me qetësi.”
Ndërkohë, Zizou është gjithashtu “i vetëm”, pasi stafi i tij i vjetër është shpërndarë duke ndjekur rrugë të ndryshme: ndihmësi i tij, David Bettoni, drejton Club Africain në Tunizi, dhe me të është edhe përgatitësi i tij i fundit fizik, profesori Gregory Dupont; Hamidou Msaidie është drejtori ekzekutiv i një kompanie të quajtur Slowmotions, një platformë trajnimi personal; trajneri i portierëve, Roberto Vazquez, punon në Federatën Spanjolle të Futbollit.
Vetëm dhe pa ekip, por më shumë për zgjedhje sesa për arsye të tjera. Dera për një rikthim të madh në futboll mbetet e hapur, por për momentin vetëm për dy opsione të cilat janë vështirë të realizueshme.