Bota Çfarë ndodhi në Korenë e Jugut? Autoritetet dështojnë të arrestojnë ish-presidentin

Çfarë ndodhi në Korenë e Jugut? Autoritetet dështojnë të arrestojnë ish-presidentin

Autoritetet e Koresë së Jugut kanë pezulluar përpjekjet për të arrestuar ish-presidentin e fajësuar për ligjin ushtarak Yoon Suk Yeol. Ata u tërhoqën pas përplasjeve që zgjatën prej disa orësh me ekipin e tij të sigurisë brenda kompleksit të Yoon në zemër të Seulit.

Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) tha se kishte vendosur të ndalonte përpjekjen për të arrestuar Jun pasi Shërbimi i Sigurisë Presidenciale bllokoi hetuesit të hynin në rezidencën e tij.

Më shumë se 10 autobusë dhe makina pasagjerësh kishin bllokuar rrugën për në rezidencën presidenciale dhe rreth 200 oficerë sigurie dhe ushtarë kishin ndërtuar një barrikadë duke e bërë të pamundur hyrjen në ndërtesë.

Shefi i shërbimit të sigurisë presidenciale, i cili u zgjodh nga Jun, tani është paditur për pengim të drejtësisë, thuhet në media. Nuk është e qartë se çfarë mund të ndodhë tani, por hetuesit kanë kohë deri më 6 Janar për të ekzekutuar urdhrin e arrestit.

Një gjykatë në Seul lëshoi urdhrin kundër ish-presidentit Jun në fillim të kësaj jave pasi ai refuzoi të paraqitej para zyrtarëve që e hetonin për abuzim me pushtetin e tij dhe nxitje të një kryengritjeje.

Nëse arrestohet, lideri konservator do të jetë presidenti i parë në detyrë që do të arrestohet në historinë e Koresë së Jugut. Përpara njoftimit një avokat i ish-presidentit koreano-jugor, tha se hetuesit po vepronin jashtë autoritetit të tyre dhe ligjit. Kreu i përkohshëm i Partisë së Pushtetit Popullor të Yoon përshëndeti pezullimin dhe tha se hetimi duhet të kryhet pa e arrestuar.

Nëse shpallet fajtor për kryengritje, një nga krimet e pakta për të cilat një president në detyrë nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale, Yoon përballet me dënime të rënda, duke përfshirë burgimin e përjetshëm dhe dënimin me vdekje.

Yoon u pezullua nga detyra që nga 14 Dhjetori, kur Asambleja Kombëtare votoi për shkarkimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka deri në gjashtë muaj afat për të marrë vendimin e saj. Duhet që të paktën gjashtë gjyqtarë nga nëntë anëtarë që ka gjithsej kjo gjykatë të votojnë pro, në mënyrë që Jun të shkarkohet nga detyra.