Histori Çfarë nuk dini për Ali Pashë Tepelenën dhe Spanjën

Çfarë nuk dini për Ali Pashë Tepelenën dhe Spanjën

Ola Goroveci

Nga Ola Goroveci

Sipas të dhënave historike, por po ashtu edhe gojëdhënave, Ali Pashë Tepelena vdiq në kurthin që i ngriti Perandoria Osmane në atë kohë për shkak të rebelizmit të tij.

Papritur historia merr një kthesë tjetër më 8 prill të vitit 1822 pas një artikulli të publikuar nga ‘Gazette de France’, dhe së fundmi nga një portal shqipar, Observer Kult.

Sipas kësaj gazete, ishin ngritur dyshime se në fakt Ali Pashë Tepelena kishte mundur të arratisej dhe të zbarkonte në brigjet spanjolle, më saktë në portin e qytetit Mahon, në ishullin e Menorca-s.

Gazette de France shkruante se disa zëra me emër në Barcelonë thonin se një i huaj i pasur kishte mbërritur në ishullin spanjoll së bashku me dy gra dhe një shërbëtor. Ajo çka i kishte mahnitur ishte sasia e arit që ky i huaj misterioz kishte sjellë me vete, pasi bëhej fjalë për plot 12 arka me peshë mjaft të rëndë. Me shumë mundësi, Ali Pashë Tepelena kishte mundur të siguronte atë sasi ari në ndonjë ishull të Greqisë dhe të kishte planifikuar arratisjen para se t’i ngrihej kurthi nga Perandoria Osmane.

Në fakt, të dhënat historike tregojnë se Ali Pashë Tepelena kishte kohë që po mundohej të negocionte me turqit pasi pushteti i tij sa vinte e zvogëlohej.

Ky lajm i publikuar nga Gazzete de France në vitin 1822 mbetet ende mister, por ka një farë përqindjeje si probabilitet. Forcat osmane nuk e njihnin fizikisht Ali Pashën e Janinës pasi ai ishte i famshëm për bëmat dhe karakterin e tij.

Të dhëna të tjera historike tregojnë se ai mund të jetë arratisur vërtet dhe se forcave osmane u dërguan dikë tjetër për të zëvendësuar Aliun.

Çfarë e lidhte Ali Pashën me Spanjën?

Nuk përmendet asnjë e dhënë apo fakt, përveç zbarkimit të supozuar të Ali Pashë Tepelenës në ishullin e Menorca-s. Me shumë siguri, mund të kenë patur lidhje diplomatike pasi Aliu i Janinës kishte shtrirë marrëdhëniet e tij në shumë vende Evropiane të asaj kohe.