Aktualitet Çfarë po heton SPAK? Zbardhet dosja me 6 vepra që çoi në...

Çfarë po heton SPAK? Zbardhet dosja me 6 vepra që çoi në aksionin e policisë në kampin e MEK

SPAK po heton një sërë veprash penale në fushën e krimeve kibernetike që dyshohet se janë kryer nga organizata e MEK e strehuar në Shqipëri. Me interes për çështjen janë materialet që do të zbulohen në pajisjet e sekuestruara.

SPAK po heton 6 vepra penale që muxhahedinët dyshohet se kanë kryer gjatë qëndrimit në kampin Ashraf 3 në Manzë. Procedimi ‘130’ i vitit 2023 është regjistruar me dyshimet për “provokim i luftës” “përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “keqpërdorim i pajisjeve” që parashikohen në nenin 293 e në vazhdim të kodit penal shqiptar.

Të gjitha këto vepra sipas SPAK janë kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” por me interes për hetimin pritet ekspertiza teknike e rreth 150 pajisjeve të sekuestruara, mes tyre kompjuterë, servera dhe USB. Në dosjen e SPAK theksohet se anëtarët e MEK që njihen si opozita e Iranit dyshohet se kanë kryer disa sulme kibernetike në periudha të ndryshme kohore në drejtim të Republikës Islamike të Iranit.

Po në dosjen e Prokurorisë se Posaçme ku thuhet se referimi është bërë nga njësia C në Policinë e Shtetit, ngrihen dyshime se pjesëtarë të organizatës së MEK janë të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të terrorizmit dhe financimit të tij.

Pjesë nga dosja hetimore:

Në kushtet ku ka dyshime të arsyeshme se organizata “MEK” nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit.

Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës “MEK” në Shqipëri është humanitar Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës “MEK”. Po ashtu, Republika Islamike e Iranit ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës së Shqipërisë përpara disa kohësh, gjë e cila ka cenuar seriozisht sigurinë kibernetike dhe integritetin kibernetik të shtetit shqiptar.

Me qëllim gjetjen e serverave apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës “MEK”, në Durrës, Shqipëri.

Në rastin konkret nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës “MEK”, me vendqëndrim në Manzë, Durrës, Shqipëri, janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.