Ekonomi Çfarë po ndodh me konjakun e Francës?

Çfarë po ndodh me konjakun e Francës?

Në një nga vendet e njohura për konjakun, Franca, prodhuesit po shqetësohen për pasojat që mund të vijnë nga mosmarrëveshjet tregtare midis Bashkimit Europian dhe Kinës.

Vëmendja është në Konjak, një komunë e vogël që i ka dhënë emrin rakisë më të famshme franceze. Kjo e fundit u godit e para pasi loboi për vendosjen e tarifave për automjetet elektrike të prodhuara në Pekin.

Patrice Merceron, një vreshtar nga kjo zonë tregon se nga viti në vit situata ndryshon sa i përket prodhimit. “Vitet që kalojnë nuk janë njësoj. Situata ndërlikohet akoma më shumë për të rinjtë. Ata mund të ndihen më pak të inkurajuar.”

Ai thotë se deri tani nuk janë prekur nga taksat. “Nuk jemi të ndikuar për momentin, por do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme një ditë”.

Prodhuesi Patrice Merceron ka vënë në punë makineritë për të mbledhur rrushin në parcelat e tij.

Por vreshtat janë dëmtuar edhe për shkak të ndryshimeve klimatike. Ky sektor ishte në rënie prej një dekade pasi edhe inflacioni goditi disa shtete. Eksportet e konjakut ranë në vitin 2023 dhe vjelja këtë viti nuk ishte në pritshmëritë e prodhuesve.

Emmanuel Painturaud, i cili zotëron shtëpinë 90-vjeçare të Konjakut Painturaud Freres me tre vëllezërit e tij thotë se “nëse flasim në terma mund të kemi një ulje të kërkesës, vreshta mund të bëhen gjithnjë e më pak fitimprurëse dhe në fund do prodhohet më pak raki.”

Ai e sheh si shqetësuese hakmarrjen e Pekinit. “Çdo gjë po ndodh shumë shpejt. Duhet thënë se në harkun e një viti e gjysmë kemi kaluar nga vite shumë të begata në një gjendje krize. E kam të vështirë ta besoj se ekziston mundësia të rikthehemi prapë aty ku ishim. Sipas mendimin tim taksat kineze do të aplikohen në çdo rast”.

Pothuajse i gjithë prodhimi i konjakut eksportohet. Prodhuesit tregojnë se kjo lloj tregtie me Kinën është mbi 250 vjeçare. Dërgesat e rakisë franceze në Kinë arritën në 1.7 miliardë euro vitin e kaluar, duke sjellë të ardhura prej 1 miliard euro për prodhuesit e konjakut. Ministria e Tregtisë në Francë ka deklaruar se masat e Pekinit ndaj rakisë shkelin tregtinë e lirë. Komisioni Europian kërkon edhe angazhimin e Organizatës Botërore të Tregtisë. Por prodhuesit e konjakut të cilët pritet të përballen me detyrime shtese i frikësohen një hapi që mund të marrë Brukseli apo qeveria franceze të cilët kanë më shumë vëmendje për industrinë e automjeteve të prodhuara nga Kina.

Florent Morillon, i cili kryeson grupin francez të prodhuesve të konjakut BNIC thotë se nëse këto masa bëhen të përhershme, taksat do të sillnin një rënie të eksporteve në Kinë, tregu i dytë më i madh i konjakut pas Shteteve të Bashkuara. Ai paralajmëroi se i gjithë sektori do të vuajë për shkak të këtyre tarifave. “Ne kemi kompani në këtë rajon për të cilat Kina përfaqëson 60 % të biznesit të tyre. Kështu që mund t’i merrni me mend pasojat. Për rajonin në total, përbën 25% të eksporteve tona. Është tregu ynë i parë në vlerë dhe është një treg historik, me lidhje shumë të hershme mes dy vendeve”.

Ai thotë se do të zhvillojnë takime me përfaqësues të qeverisë. “Ne do bëjmë takime me përfaqësues të qeverisë dhe do ta themi shumë qartë. E kuptojmë që kjo bëhet për automjetet elektrike, nuk i gjykojmë, por nuk mund të jenë në të njëjtin pozicion konjaku kundër automjeteve elektrike. Ajo që duam është që Komisioni Europian të dërgojë stafin përkatës në Pekin dhe të ulen në bisedime”.

Masat e Pekinit kanë përfshirë edhe markat e luksit në Francë të cilat po përballen me një kërkesë më të ulët kineze. Christophe Bouetard është më i shqetësuar se të tjerët. Ai drejton MG Motornë Konjak dhe e siguron jetesën duke shitur automjete elektrike të prodhuara në Kinë që së shpejti do të përballen me tarifa të larta të BE-së prej 45%. “Për ne, është e prekshme sepse shesim automjete kineze. Por ne jemi gjithashtu të lumtur sepse kinezët janë konsumatorë të mëdhenj të konjakut, kështu që kjo është ajo që e mban rajonin tonë. Prandaj, Evropa duhet patjetër të lëvizë dhe të na lërë të punojmë në paqe”.

56-vjeçari thotë se MG mund të mbështetet më shumë në automjetet e saj hibride për të shmangur tarifat dhe pret që prodhuesit kinezë të makinave të ndërtojnë fabrika në Evropë për të anashkaluar masat ndëshkuese.

Pavarësisht gjithçkaje viti i ardhshëm nuk duket fort i lehtë si për tregtarët e automjeteve elektrike kineze ashtu edhe për prodhuesit e konjakut në Francë.