Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u vunë në provë të fortë gjatë vitit 2019 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, çështjen e Hong Kongut e të drejtat e njeriut. Pavarësisht arritjes së një marrëveshjeje së fundmi mbi fazën e parë të një pakti tregtar që parandalon vendosjen e tarifave të mëtejshme, analistët thonë se marrëdhëniet mes Uashingtonit e Pekinit janë të vështira. Korrespondentja e Departamentit të Shtetit Nike Ching njofton.
Faza e parë e marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës parashikon që dy vendet nuk do t’i vendosin tarifa të reja njëra-tjetrës. Ky moment vjen pas disa muaj përpjekjesh mes dy ekonomive kryesore të botës.
“Ajo që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar ka treguar se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuar në lidhje me sjelljen e Kinës dhe kanë dyshime nëse mund ta ndikojnë ose jo atë sjellje”, thotë Bonnie Glaser, drejtore e projektit fuqia e Kinës, qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, Uashington DC.
Një nga shqetësimet e vitit 2019 ishte trajtimi që Kina i bën pakicën etnike-myslimane, ujgurëve të Xinjiang-ut.
Sipas Shteteve të Bashkuara Kina po kryen “abuzime shumë të mëdha” kundër ujgurëve dhe dokumenta të brendshme kineze që kanë rrjedhur në shtyp, konfirmojnë atë që disa e quajnë shtypje brutale.
“Këto njoftime përputhen me provat e forta në rritje se Partia Komuniste kineze po kryen shkelje të të drejtave të njeriut e abuzim ndaj atyre që mbahen në paraburgim“, tha Mike Pompeo, sekretari i Shtetit.
Në fund të muajit nëntor në Hong Kong banorët kënduan himnin kombëtar amerikan në shenjë falënderimi ndaj Presidentit Donald Trump, pas firmosjes së ligjeve që mbështesin lëvizjet pro-demokracisë në ish-koloninë Britanike. Kina tha se do të hakmerret ndaj një vendimi të tillë.
“Si përgjigje ndaj sjelljes së paarsyeshme amerikane, duke nisur prej ditës së hënë qeveria kineze ka vendosur të pezullojë rishikimin e aplikimeve që anijet ushtarake dhe avionët amerikanë të vizitojnë Hong Kongun”, tha Hua Chunying, zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze.
Por sipas ekspertes Bonnie Glaser përplasjet lidhur me tregtinë, Ujgurët dhe Hong Kongun janë pasqyrim i problemeve më të thella.
“Shqetësimet ndaj Kinës ekzistojnë për një numër më të madh çështjesh nuk bëhet fjalë vetëm për problemet ushtarake, ekonomike e diplomatike, por më gjerë, të tilla si ndërhyrja politike kineze”, thotë ajo.
Të tjerë thonë se marrëdhëniet e tensionuara mes Uashingtonit dhe Pekinit janë rezultat i dy sistemeve ndryshme të vlerave që ato përfaqësojnë.
“Ekzistojnë dallime thelbësore në vlera mes dy vendeve, koncepte thelbësisht të ndryshme mbi atë çka janë të drejtat e njeriut, cilat duhet të jenë marrëdhëniet me qeverisjes dhe atyre që qeverisen. Cili duhet të jetë qëndrimi ndaj pakicave fetare apo etnike. Pra ka një numër dallimesh thelbësore në standarde”, thotë Ali Wyne, Rand Corporation.
Për herë të parë gjatë viteve të fundit, bisedimet e nivelit të lartë SHBA-Kinë për çështje diplomatike e të sigurisë që zhvillohen rregullisht në Uashington apo Pekin, nuk u mbajtën këtë vit. Zyrtarët amerikanë janë skeptikë nëse angazhimi amerikan ndaj Kinës do të sjellë vërtet rezultate dhe do ta ndryshojë sjelljen e Pekinit./VOA