Ky është tregues se mund të ndodhë një gjë më e keqe. Çmimet po bien për herë të parë në gjashtë vjet, gjë që tregon se ekonomia e këtij shteti nuk është në gjendje të mirë
Vetëm një dekadë më parë, në një qoshe të errët të ekonomisë, ekzistonte një tregues paralajmërues se Britania ishte gati të binte në recesion, shkruan The Economist.
Disa muaj përpara se rënia të konfirmohej zyrtarisht, prodhuesi i bojërave Dulux raportoi se shitjet po binin me ritme të shpejta. Përballë një pasigurie globale ekonomike dhe një tregu të dobët të punës, britanikët i shkurtuan në masë shpenzimet në dekorimin dhe rinovimin e shtëpive. Në të njëjtën kohë, ra edhe kërkesa për shtëpi të reja, gjë që u shoqërua me një tkurrje të kërkesës së ndërtuesve për materiale ndërtimi.
Kjo rënie, që u reflektua fillimisht në tregun e bojërave, u përhap me shpejtësi edhe në pjesë të tjera të sektorit të pronave, dhe nga këtu edhe në pjesë të tjera të ekonomisë. Më shumë se një e pesta e firmave të ndërtimit në Britani pësuan rënie. Në total, rënia e investimeve në sektorin e pronave shkaktoi rënien e PBB-së me një të katërtën gjatë periudhës 2008-‘09. Rënia pati ndikim më të madh në recesionet e 1975, 1980-‘81 dhe 1990-‘91.
Prandaj rënia e investimeve në sektorin e pronave shihet si tregues paralajmërues i një ekonomie që nuk është fort e qëndrueshme. Në dy vitet e fundit, çmimet reale të shtëpive në Londër kanë rënë me një të dhjetën (dhe me 5% në terma nominalë). Tkurra po reflektohet edhe në sektorë të tjerë. Për herë të parë që prej 2013, çmimet reale po shënojnë rënie nga viti në vit. Ashtu siç ndodhi në vitin 2008, kur dobësimi i tregut të pronave dhe rënia e çmimeve të shtëpive pati ndikim në ekonominë e përgjithshme të vendit, njësoj mund të ndodhë edhe sot.
Të paktë janë faktorët që e shpjegojnë rënien. Një prej tyre është reforma e taksave e vitit 2016, e cila rriti taksat për blerjet e pronës. Një tjetër është fakti se blerësit e huaj, të cilët i konsideronin blerjet e shtëpive në Londër si një investim shumë i rëndësishëm, tani po i kushtojnë rëndësi më të madhe ecurisë së Brexit.
Politika e shtrënguar monetare po luan rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Që nga nëntori i vitit 2017, Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit nga 0.25% në 0.75%.
Kjo ka nxitur rritjen e normave të interesit të kredive hipotekore, gjë që i ka kufizuar britanikët të mos marrin më kredi në nivelet që ata i merrnin dikur. Së bashku me rënien e çmimeve të shtëpive ka rënë edhe numri i transaksioneve të tyre. Në maj, numri i transaksioneve të pronave ra me 10% më pak në krahasim me një vit më parë. Oferta e tregut luan rol të rëndësishëm.
Në dekadat e fundit, tregu i shtëpive në Britani ka shënuar rritjen reale më të shpejtë të çmimeve në krahasim me çdo vend tjetër të G7. Por një situatë si kjo e tanishmja, ku çmimet e shtëpive kanë rënë, ka bërë që edhe shitësit e pronave të mos t’i nxjerrin më këto të fundit në shitje. Një blerës tokash për një prej kompanive më të rëndësishme të ndërtimit, shprehet se në ditët e sotme, gjetja e tokave në shitje është bërë shumë e vështirë.
Megjithatë, edhe kur zhvilluesit kanë gjetur tokë mbi të cilën mund të ndërtojnë, ata po duken gjithnjë e më ngurrues për të nisur ndërtimet. Situata ka ndryshuar shumë në krahasim me një vit më parë, kur ata po punonin në maksimumin e tyre, gjë që rezultoi edhe në ndërtimin e rreth 140, 000 shtëpive, njëkohësisht edhe shifra më e lartë që prej krizës financiare. Megjithatë, shumë prej tyre tani ankohen se në pjesë të ndryshme të vendit, sidomos në juglindje, tregu i shtëpive është mbingopur. (Por kjo mund të nënkuptojë thjesht që ata nuk po arrijnë të gjenerojnë të njëjtin nivel fitimesh si dikur.
Shumica e ekonomistëve besojnë se Britania vazhdon të ketë nevojë për një numër më të madh shtëpish, në mënyrë që të ulen çmimet aktuale të cilat, sipas tyre, vazhdojnë të jenë të larta). Agjentë të Bankës së Anglisë, të cilët komunikojnë me firmat anembanë vendit, raportojnë se ndërtuesit e shtëpive kanë hequr dorë nga një numër i madh projektesh të rëndësishme. Edhe të dhënat e fundit nga Glenigan, firmë konsulence, sugjerojnë se numri i projekteve të ndërtimit të cilat kanë marrë lejen e ndërtimit, ka shënuar rënie në vitin 2018. Sipas disa ekonomistëve nuk do të duhej shumë që rritja të kalonte në territor negativ.
Më 18 korrik, Zyra Përgjegjëse e Buxhetit paralajmëroi se një Brexit pa marrëveshje do të çonte Britaninë në recesion. Një frikë e madhe në këtë drejtim është se rënia e çmimeve në tregun e shtëpive mund ta ulë besimin e konsumatorit, i cili është aktualisht në nivele të ulëta. Kërkimet e ndryshme në tregun amerikan, kanë evidentuar se pronarët amerikanë të shtëpive ndihen më të varfër nëse vlera e shtëpive së tyre është në rënie, gjë që i bën ata të reduktojnë shpenzimet e tyre. Megjithatë, studimet e Bankës së Anglisë sugjerojnë se ndryshimet në tregun e pronës në Britani kanë ndikim shumë të vogël në konsum.
Deri më tani, shpenzimet e familjeve nuk janë reduktuar. Dobësia e vërtetë e ekonomisë britanike ka të bëjë me investimet, të cilat kanë qenë në stanjacion që nga viti 2017. Shpenzimet kapitale për pajisjet e transportit dhe për kompjuterë po shënojnë gjithashtu rënie. Rënia e transaksioneve të tregut të shtëpive, shpjegon edhe pse investimet për shtëpitë, të cilat përbëjnë një të katërtën e totalit, po zbehen.
Ndërkohë, ndërtuesit raportojnë se tani e kanë më të lehtë për të gjetur fuqi punëtore dhe materiale ndërtimi në krahasim me disa muaj më parë. Pavarësisht, situatës aspak të mirë të tregut të shtëpive, ajo nuk është asgjë në krahasim me tornadon e mundshëm të një Brexiti pa marrëveshje në 31 tetor. Sipas Bankës së Anglisë, nëse realizohet ky skenar, atëherë çmimet e shtëpive do të shënojnë rënie me një të tretën.