Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zhvilluan të martën, por të gjithë janë ende të pritje që një prej kandidatëve të arrijë numrin “magjik” të 270 votave të Kolegjit Elektoral. Deri më tani, Joe Biden është ai që vijon të ketë avantazhin me 264 vota, kundrejt 214 që ka Trump, ndërkohë që numërimi vijon.
Në Georgia, dy kandidatët janë “kokë më kokë”, me Donald Trump që kryeson me rreth 600 vota. Autoritetet atje theksuan se do të vijojnë numërimin dhe shpresojnë se do të kenë një rezultat të premten.
Biden kryeson me më shumë se 11 mijë vota në Nevada, ndërkohë që janë numëruar 89 përqind e votave.
Kryesimi i Trump në Pennsylvania ka rënë në më pak se 20 mijë vota. Votat për t’u numëruar janë ende me mijëra.
Por Trump i është afruar shumë kandidatit demokrat në Arizona. Biden kryeson me vetëm 7 mijë vota në shtetit jugperëndimor.
Numërimi vijon ende në Alaska dhe North Carolina dhe Trump kryeson në të dy këto shtete. Por pa fitore në disa prej këtyre 4 shteteve ku diferenca është e ngushtë, Trump nuk ka shanse për t’u rizgjedhur President. Biden ka shumë mundësi për të siguruar fitoren.