Një ngjarje fillimisht dytësore, sekuestrimi i një anije peshkimi britanike nga autoritetet të Parisit, me akuzën se po tentonte të peshkonte ilegalisht në ujërat territorialë të Francës, po shndërrohet orë pas orë në fillimin e një incidenti diplomatik serioz midis dy vendeve, ku janë venë në gjendje alarmi edhe anije ushtarake britanike.
Ndërkohë që kapiteni i peshkarexhës rrezikon një gjobë të majme rreth 75 mijë euro si dhe ndalimin e peshkimit në ato ujëra, reagimet e Londrës po ngrihen në intensitet dhe rëndësi, dhe janë domethënëse për marrëdhëniet e vështira që autoritetet britanike kanë me fqinjët e tyre të BE-së, veçanërisht me Francën.
Londra ka thirrur ambasadorin francez për të shpjeguar më mirë arsyet e asaj që po ndodh në kanalin e La Manche, ndërkohë që dy anije patrulluese britanik janë vënë në gjendje gatishmërie. Ministri britanik i Mjedisit George Eustice sot deklaroi si të papranueshëm vendimet dhe gjuhën e Parisit zyrtar, që dje kishin deklaruar se përdorimi i forcës ishte “e vetmja mënyrë që anglezët arrijnë të kuptojnë”. Por edhe ministri britanik përdori gjuhë të ashpër, duke deklaruar se “këtë lojë dimë ta luajmë edhe ne”.
Por ç’po ndodh realisht, përtej aksidentit në vetvete, që nuk justifikon tonet e ashpra të këtyre orëve?
Të drejtat e peshkimit kanë qenë një nga përballjet më të ashpra midis dy vendeve gjatë dialogut për Brexit. Franca akuzon Britaninë e Madhe që pas Brexit Londra ka dhënë një sasi tejet të kufizuar lejesh peshkimi në ujërat territoriale britanike, për anijet e peshkimit franceze. Autoritetet britanike tashmë kërkojnë që anijet të tregojnë historikun e peshkimit në ato ujëra edhe para Brexit, përmes të dhënave GPS, që sipas francezëve nuk disponohen nga të gjithë mjetet.
Ndër 175 licencat për të cilën ishte rënë dakord, janë dhënë vetëm 100. Flitet për një treg të rëndësishëm, Franca është tregu më i rëndësishëm për Britaninë, me një vëllim tregtar në këtë fushë që tejkalon 600 milionë eurot.
Por përtej dimensionit ekonomik, kjo përballje duket se ka pasoja, por edhe një burim tërësisht politik. Analistët evidentojnë faktin se po afrojnë zgjedhjet presidenciale në Francë, dhe karta e nacionalizmit është përdorur historikisht nga presidentët për të mbajtur pushtetin, dhe Macron nuk do t’i shmanget kësaj tradite. Nga ana tjetër, Boris Johnson mund të zmadhojë problematikën për të ulur presionin e opinionit publik ndaj problemeve të furnizimit të karburantit dhe ushqimeve, shifrat në rritje të pandemisë dhe dinamikat politike në Parlament, dhe pritet një klimë e nxehtë mes të dyve në samitin e COP26 që parashikohet në Gllasgou.