Dy njerëzit më të fuqishëm në Europë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë ftuar më 29 prill për një darkë në Berlin liderët e Ballkanit Perëndimor.
Për këtë takim vazhdon të spekulohet prej ditësh, sidomos për shkak se situata në rajon është rënduar ndjeshëm kohët e fundit.
Sipas agjencisë Reuters, vetëm ftesa e këtij niveli mjafton për të kuptuar se temat që do diskutohen do jenë të rëndësishme. Diplomatët thonë se tema kryesore do jetë ajo e zgjidhjes së konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Reporterja e ‘Der Standard’, Adelheid Ëoelfl, thotë se në këtë takim do të ‘varroset’ përfundimisht ideja e shkëmbimit të territoreve.
Por a ka ndonjë ide tjetër që do hidhet në tryezë atë natë?
Disa media spekulojnë se kancelarja Merkel do të kërkojë zgjidhje në kuadër të atij që njihet si ‘sovraniteti i dyfishtë’. Kjo nënkupton që Beogradi do marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës, ku jetojnë shumica e serbëve, por integriteti territorial i Kosovës do mbetet i paprekur.
Rusia thotë se për këtë propozim duhet të vendosin serbët. Kurse kryediplomati serb, Ivica Daçiç thotë se akoma nuk ka një propozim konkret. “Është vetëm një supozim. Nuk e di nëse ka një vendim konkret,” tha ai.
Megjithatë, një burim nga qeveria gjermane tha për Reuters se ata nuk do bëjnë asnjë propozim gjatë tryezës.
Por çfarë rezervon ky takim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
Këto dy vende janë në pritje të hapjes së negociatave, por frika nga zgjedhjet europiane ka bërë që të shtyhet publikimi i progres-raporteve. Reuters shkruan se Holanda dhe vetë Macron hezitojnë të shprehen pro hapjes së negociatave.
Diplomatët e BE thonë megjithatë se edhe në Gjermani situata nuk është e lehtë. Kjo pasi brenda partisë së Merkel ka rezerva për çeljen e negociatave, çka e vështirëson procesin e votimit në Bundestag për hapjen e tyre.