Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me premtimin e tij për të dërguar në hapësirë satelitë. Kreu i qeverisë sqaron në Twitter se nuk i ndahet zotimit të tij, por bëhet fjalë thjesht për vonesa dhe kërkon durim.
“Padurim të madh paskan pasur disa për satelitët e sipas modës së re thonë ç’të duan pa pyetur fare more si është puna! Po një gjë çuditem si nuk duan ta kuptojnë: Unë them atë që bën e bëj atë që them dhe kur vonesat s’janë në dorën time thjesht bëj durim, po zotimit s’i ndahem jo”, shkruan Rama.
Rama tha në tetor të vitit të kaluar se Shqipëria synon të lëshojë në hapësirë dy satelitë, “Albania 1” dhe “Albania 2”. Ai deklaroi se do satelitët do të niseshin në hapësirë në muajt Mars dhe Qershor të këtij viti.
“Do blejmë drona, do çojmë dhe satelitë në orbitë. Qeshni, kur të shikoni satelitët Shqipëria në orbitë dhe jo në mandatin tjetër, vitin tjetër, Albania 1, Albania 2, në orbitë. Do t’i çojmë dhe ato sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanun dhe zhvillimi nuk është që 7 mrekullitë pati bota dhe 8-ën na e sollët ju siç tha ai i foltores bëtë të mundur ndërtimin e parë pa leje të një qyteti të tërë. Kjo ka qenë pretendim për t’u futur si mrekullia e 8 e botës”, shprehej kreu i qeverisë në një fjalim në Kuvend.