Forcat speciale RENEA dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë mësynë mëngjesin e kësaj të hëne në banesën e Ervis Martinajt dhe të afërmve të tij në Fushë Kuqe të Kurbinit. Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për kontrollet e befasishme, që u zhvilluan në 3 banesa dhe në disa ambiente.
Policia thotë se kontrollet erdhën në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”. Gjatë operacionit, policia thotë se u sekuestruan 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Kontrollet vijnë 8 muaj pasi Martinaj u shpall në kërkim si person që kishte porositur vrasjen e shtetasit Endrit Dokle dhe 4 muaj nga denoncimi si i zhdukur nga familjarët.
“Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: Ervis Martinaj, F. M. dhe R. M.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:
-2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare. Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike”, deklaroi Policia.