Kosova do të debutojë nesër në eliminatoret e Euro 2020-ës, me sfidën që do të zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Tekniku i “Dardanëve”, Bernard Challandes doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për momentin e mirë që po kalojnë të besuarit e tij, ndërsa bëri thirrje për përqendrim maksimal, duke kujtuar se ky takim ka vlerë 3-pikëshe.
Ndaj Bullgarisë do të luajmë bukur si ndaj Danimarkës, apo do të përqendrohemi më shumë te rezultati?
Është një ndeshje tjetër nga ajo që zhvilluam para pak ditësh ndaj Danimarkës. Nëse do të jetë një ndeshje e mirë për tifozët, këtë nuk di ta them. Ne po punojmë që të marrim një fitore në këtë takim, pasi është sfida e parë eliminatore dhe duam ta nisim me 3 pikë. Duhet të luftojmë për çdo top, jo vetëm në mesfushë, por në çdo repart, pasi Bullgaria është një ekip i fortë dhe ka shumë eksperiencë, ndaj nuk është e lehtë ndaj tyre.
Kemi një ditë pushim më shumë se sa kundërshtari, që para dy ditësh luajti një ndeshje të komplikuar ndaj Malit të Zi. A është kjo një pikë në favorin tonë?
Unë nuk flas për situatën e Bullgarisë dhe programin e saj, pasi këto janë punët e tyre. Ne kemi pasur një ndeshje më shumë për të përgatitur këtë takim dhe një miqësore mjaft interesante para 3 ditësh, por nuk mund të them gjë për Bullgarinë. Për momentin nuk kemi telashe dhe ekipi është në një situatë të mirë. Bullgaria është një ekip mjaft kompakt dhe jam i bindur që do të bëjnë një ndeshje mjaft të mirë ndaj nesh. Nëse do të tentojmë të luajmë pak me stilin “tiki taka”, si ndaj Danimarkës, atëherë do të jetë mirë për ju tifozët, por aspak mirë për skuadrën, pasi do të na komplikonte punën.
Si është situata me Benjamin Kolollin, para kësaj ndeshjeje?
Do të shikojmë dhe do të testojmë sonte në mbrëmje, për të parë nëse do të jetë në gjendje për të luajtur ose jo. Nuk mund të them me siguri diçka tani. Nëse është gati, do të luajë, pasi nuk ka logjikë të rrijë në stol. Kololli ose luan titullar, ose nuk grumbullohet fare.
Bullgaria ka zgjedhur të mos stërvitet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pse mendoni se ka vendosur kështu?
Është një zgjedhje e trajnerit të tyre dhe unë mendoj se janë përgatitur mirë në Bullgari dhe ndoshta nuk kanë pasur nevojë për këtë seancë. Është vendim i trajnerit të Bullgarisë dhe unë nuk mund të di arsyet. Nëse kanë bërë mirë apo gabim, sërish është një çështje për ta.
Keni zhvilluar disa ndeshje në krye të Kosovës. Mund të themi që Bullgaria është kundërshtari më i fortë që përballeni, sa u përket ndeshjeve zyrtare?
Është më se e qartë që po, pasi janë kualifikimet për Kampionatin Europian dhe nuk është Kategoria D e Ligës së Kombeve. Bullgarët kanë një eksperiencë shumë të madhe në kualifikuese dhe do të jetë shumë më e vështirë sesa kundërshtarët që kemi pasur deri tani. Kam dëgjuar që të gjithë këtu janë euforikë dhe me entuziazëm, por dua të them që sfida jonë fillon pikërisht tani. Ne jemi në një moment ku duhet të ndërtojmë filozofinë tonë të lojës dhe nuk do ta ndryshojë atë vetëm për këtë moment.
Është ditë historike për ju dhe skuadrën tuaj, pasi Kosova garon për herë të parë në kualifikueset e Europianit. A e ndjeni presionin e këtij momenti?
Si trajner, presioni ndihet kundër çdo skuadre, qoftë kjo Madakaskari, apo Bullgaria. Megjithatë unë nuk bëj presion sa i përket rezultatit, por vetëm sa i përket performancës. Bashkëbisedoj me lojtarët për mënyrën sesi duhet të rreshtohemi, si të bëjmë tranzicionin dhe si të menaxhojmë lojën, por asnjëherë nuk ju them se duhet të marrim 3 pikët. Rezultati është në plan të dytë, pasi nëse luan mirë, është e sigurt që vjen natyrshëm.
A është fusha, një pikë në favorin tuaj?
Këtu në Kosovë, fusha bën përparësi, pasi të gjithë ndjejnë kënaqësi të luajnë para një tifozërie të zjarrtë pas vetes. Të gjithë janë gati të mbështesin skuadrën. Të gjithë mund të gabojmë, por nuk mund të pranoj nga lojtarët e mi që të mos vrapojnë, apo të mos përqendrohen maksimalisht në fushën e lojës.